Rrahu prindërit e tentoi të djeg objektin ku jetonin, i caktohet një muaj paraburgim të miturit

  • E.K /
  • 15 February 2021 - 11:49
Rrahu prindërit e tentoi të djeg objektin ku jetonin, i caktohet një muaj paraburgim të miturit

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të miturit H.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale:  Dhuna në familje nga neni 248 par.1 të Kodit Penal të Kosovës, Sulmi ndaj personit zyrtar nga neni 402 par. 4 të KPRK-së..

Gjyqtari i procedurës, Fidan Hoxha, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, ashtu që kjo masë të miturit do ti llogaritet prej datës 13.02.2021 deri me datën 14.03.2021.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të miturit H.L., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

– Me datë 13 shkurt, ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij, fillimisht duke i kanosur verbalisht, e më pas edhe e ka sulmuar babanë e tij, dhe më pas ka ndërmarrë veprime për ta djegur edhe objektin kolektiv ku i njëjti banon me familje, gjithashtu i mituri ditën kritike ka rezistuar edhe zyrtarëve Policor ashtu që duke i sulmuar njërit i shkakton edhe lëndime trupore dhe në vazhdimësi ka shfaqur agresivitet ndaj zyrtarëve policor dhe ndaj babait të tij.

– Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjykata duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet  se janë kryer veprat penale,, dhe nga karakteristikat personale të të miturit i cili ka vepruar nën ndikim të narkotikëve, dhe nga sjellja e mëparshme e tij i cili është i regjistruar edhe si kryerës i shumë veprave penale, përfshirë edhe raste të dhunës në familje dhe disa vepra tjera kryesisht të kësaj natyre, Gjykata konsideron se nëse i mituri lihet në liri është e mundshme të përsëritet edhe ndonjë vepër penale me pasoja më të rënda, andaj janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.

(Kosova Sot Online)