Tragjedi në lumin Kongo: 60 të vdekur e qindra të zhdukur nga përmbytja e anijes së mbingarkuar

  • E.K /
  • 16 February 2021 - 09:20
Tragjedi në lumin Kongo: 60 të vdekur e qindra të zhdukur nga përmbytja e anijes së mbingarkuar

Së paku 60 persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë zhdukur pas përmbytjes së një anije në lumin Kongo gjatë natës. Lajmin e bëri të ditur ministri për Çështje Humanitare i Republikës Demokratike të Kongos.

Ministri Steve Mbikayi tha se më shumë se 700 persona kanë qenë në anijen e përmbytur, por deri më tani janë gjetur vetëm 300 të mbijetuar. Tragjedia ndodhi në provincën Mai-Ndobe, në perëndim të shtetit afrikan, shkruan The Guardian.

Sipas këtij zyrtari, shkaktari kryesor i përmbytjes ishte numri shumë i madh i pasagjerëve në anije, duke shtuar se edhe lundrimi gjatë natës mund të ketë luajtur rol në këtë ngjarje.

Ai u shprehi ngushëllime familjeve të viktimave dhe bëri thirrje për sanksione ndaj personave të sektorin e transportit që kanë qenë të përfshirë në këtë rast.

Aksidentet fatale me barka janë të shpeshta në Kongo. Shumë prej tyre ndodhin për shkak se barkat ngarkohen me më shumë njerëz sesa që kanë kapacitet.

Për shumicën e njerëzve, lumi Kongo dhe degët e tij janë mundësia e vetme e udhëtimit në largësi të mëdha.

(Kosova Sot Online)