55 për qind e qytetarëve nuk duan ta marrin vaksinën kundër COVID-19

  • A.P /
  • 16 February 2021 - 15:55
55 për qind e qytetarëve nuk duan ta marrin vaksinën kundër COVID-19

Mosgatishmëri e lartë e njerëzve është vërejtur sa i përket marrjes së vaksinës kundër COVID-19 të kompanive Pfizer dhe BioNTech.

Sipas sondazhit të kryer nga kompania e hulumtimeve Pyper, 55 për qind e të anketuarve janë shprehur se nuk do ta merrnin këtë vaksinë edhe sikur të kishin qasje në të.

Siç duket, efektet anësore që mund të shfaqen nga vaksina apo 76 për qind janë arsyeja kryesore pse personat e anketuar nuk dëshirojnë ta marrin vaksinën përkundër faktit që efektet anësore të kësaj vaksine nuk janë të shpeshta dhe serioze.

Sipas BBC, prej të gjithë personave që kanë marrë këtë vaksinë, vetëm 1 në 3 persona kanë raportuar për efekte anësore ku asnjë prej këtyre efekteve nuk ishte serioze.

Arsyeja për këto qëndrime mund të jetë niveli i ulët i informimit të qytetarëve rreth vaksinës meqë është vërejtur ndërlidhje mes shkallës së informimit dhe gatishmërisë për t’u vaksinuar.

Pra, sipas këtij sondazhi, personat më të informuar rreth vaksinës Pfizer/BioNTech kanë shprehur gatishmëri më të lartë për t’u vaksinuar. E sa i përket kësaj të fundit, vetëm 5.7 për qind e respondentëve kishin informata të shumta rreth vaksinës kurse pothuajse 40 për qind nuk kishin asnjë informatë rreth vaksinës dhe pothuajse çdo i treti ka pak informata rreth kësaj vaksine.

E në grupin e njerëzve që nuk dëshirojnë ta marrin vaksinën, kryesisht femrat përbëjnë pjesën më të madhe të grupit. E në anën tjetër, meshkujt kanë shprehur më shumë gatishmëri për ta marrë atë sipas rezultateve të këtij hulumtimi.

Veç kësaj, 52 për qind e të anketuarve nuk do të dëshironin që as familjet e tyre ta marrin vaksinën kundër COVID-19. Kjo dëshirë për mosmarrje të vaksinës nga familja është përsëri më e shprehur te femrat apo 60 për qind sesa te meshkujt. Për dallim prej femrave, meshkujt kanë shprehur më shumë dëshirë sesa femrat që familjet e tyre ta marrin vaksinën.

(Kosova Sot Online)