Aktivitetet me rastin e 13-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës

  • E.K /
  • 17 shkurt 2021 - 08:17
Aktivitetet me rastin e 13-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Kosova shënon sot 13-vjetorin e shtetësisë së saj me një sërë aktivitetesh të organizuara nga institucionet e saj qendrore dhe ato lokale.

Ceremonitë për nder të kësaj dite do të fillojnë me ngritjen e Flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së në oborrin e Zyrës së Kryeministrisë, në të cilin do të marrin pjesë ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti.

Manifestimi qendror do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ndërsa nën përkujdesjen e u.d. presidentit së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahet edhe një pritje shtetërore. 

Gjatë ditës do të ketë homazhe te shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari në Prekaz dhe Skenderaj, shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, Reçak dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Do të mbahen edhe aktivitete sportive si Gara e Pavarësisë- Federata e Gjimnastikës në Prishtinë, Turniri i Pavarësisë-Federata e Mundjes. Në Han të Elezit, Turniri i Pavarësisë- Federata e Ping-Pongut Prishtinë, Vrapimi i Pavarësisë- Federata Atletike në Viti.

Për nder të 13-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të hapet ekspozita “Jeta dhe vepra e Sali Çekut” dhe ndarja e çmimeve vjetore për letërsi nga MRKS-ja në Prishtinë. 

Për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, KK i Prizrenit mban mbledhje solemne dhe ndan dekoratën “Nderi i Qytetit” për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës Bujar Gjurgjealën, ndërsa mbledhje solemne do të mbahen edhe në Komunën e Skenderajt, Podujevës dhe komunat e tjera.

Ndryshe, të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri.

Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli.

(Kosova Sot Online)