Shqiptari që u vra në Islandë, dje do festonte ditëlindjen, dyshimet dhe jeta e tij...

  • G.G /
  • 17 February 2021 - 10:42
Shqiptari që u vra në Islandë, dje do festonte ditëlindjen, dyshimet dhe jeta e tij...

Detaje të reja zbardhen në lidhje me vrasjen e shqiptarit Armando Beqiri në Islandë. Shqiptari sapo kishte parkuar makinën dhe po hynte në shtëpi në orën 23:57 kur u qëllua me armë. Autori i kishte bërë pritë në prag të shtëpisë me më shumë se 5 plumba.

Pavarësisht dërgimit me shpejtësi në spital, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Ai u qëllua në shpinë, qafë dhe kokë me armë zjarri.

Fqinjët e familjes shqiptare që jetonte prej disa vitesh në Reykjavík u shprehën se nuk i kishin dëgjuar krismat. Deri tani janë arrestuar 3 persona, ndërsa një i katërt që dyshohet se ka lidhje me vrasjen ndodhet në paraburgim.

Një nga të arrestuarit është Lituanez i lidhur me botën e krimit. Ndërkaq edhe shqiptari dyshohet si i përfshirë, dhe vrasja e tij mund të jetë për larje hesapesh.

I riu sot kishte ditën e lindjes mirëpo fatkeqësisht mbrëmjen e djeshme ai humbi jetën. Beqiri kishte shkelur për herë të parë në Islandë në vitin 2014, duke mësuar fillimisht gjuhën dhe më pas ishte martuar me një shtetase të huaj, me të cilën kishte lindur një fëmijë dhe ishin në pritje të një tjetri.

Mësohet se 33-vjeçari në vitin 2012 kishte udhëtur në Greqi, ndërsa më pas në Islandë ku kishte fituar edhe nënshtetësinë atje.

Ai kishte hapur një biznes për security ndërsa mediat vendase e përshkruajnë dhe si një mbështetës të flaktë të ekipit kombëtar të futbollit të Islandës. Ndërkohë në rrjetet sociale nuk mungojnë fotot patriotike, me qeleshe si dhe duke treguar tatuazhin që ka në krah: shqiponjën.

(Kosova Sot Online)