A po paralajmërohen arrestime të reja nga Gjykata Speciale?

  • G.G /
  • 18 February 2021 - 10:18
A po paralajmërohen arrestime të reja nga Gjykata Speciale?

Janë bërë më shumë se tre muaj që kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë arrestuar dhe po mbahen të burgosur në Hagë.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po akuzohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, po hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Të martën është mbajtur seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare. Palët edhe kësaj here i kanë dhënë propozimet e tyre për seancën e radhës, ndërsa avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kanë zgjedhur pak fjalë të mirë për Gjykatën Speciale, pas shumë vërejtjeve që i parashtruan. Prokuroria ka propozuar që në fillim të marsit të ketë një tjetër seancë paragjyqësore në këtë çështje.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, pas përfundimit të seancës të së martës, ka alarmuar se ekzistojnë përpjekje për të minuar punën e Gjykatës që po i heton krimet e pretenduara të kryera nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë vitit 1998-2000.

Kryetarja e Gjykatës Speciale ka deklaruar se në kuadër të këtyre përpjekjeve kanë qenë thirrjet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të rishikojë vendimin e prillit të vitit 2015, që hapi rrugën për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Zëdhënësit e Speciales, kanë konfirmuar se çështja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit aktualisht është në fazën paraprake.

Ata, madje, kanë bërë me dije se ZPS-ja po vazhdon të zbatojë mandatin e saj, por që nuk i diskuton aktakuzat e mundshme në shtyp.

E, njohësit e çështjeve juridike në vend, kanë thënë se do të ketë edhe arrestime tjera lidhur me aktakuzën e Gjykatës Speciale, pasi që konsiderojnë se ky është vetëm fillimi, dhe se prokurori i Gjykatës Speciale ka lenë të kuptohet se akoma nuk është kompletuar aktakuza.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara Angela Griep, në një përgjigje elektronikë dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se çështje e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është në fazën paraprake.

Ajo edhe kësaj here ka refuzuar të jap detaje për ndonjë veprimtari specifike të të akuzuarve, kjo për shkak të privatësisë, dhe për ndonjë arrestim tjetër të mundshëm.

“Çështja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është aktualisht në fazën paraprake. Konferenca e tretë për ecurinë e çështjes, që është seancë publike, u mbajt të martën dhe ka mbuluar çështje të lidhura me nxjerrjen e provave, statusin e hetimeve nga prokuroria dhe mbrojtja dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me përgatitjen e çështjes për gjykim”, ka thënë Griep

Kurse, nga ana tjetër, zëdhënës i Gjykatës Speciale për Kosovën, Chris Bennett, në një përgjigje elektronike tha se Zyra e Prokurorit Specialist po vazhdon edhe me tej ta zbatojë mandatin e dhënë.

Kurse, ka bërë me dije se nuk diskuton akt-akuzat e mundshme në shtyp

“ZPS-ja vazhdon të zbatojë mandatin e saj, por nuk diskuton akt-akuzat e mundshme në shtyp”, ka thënë shkurtimisht zëdhënës i Gjykatës Speciale për Kosovën, Chris Bennett.

(Kosova Sot Online)