Prokuroria deklarohet për plagosjen e dy personave te Rruga B

  • E.K /
  • 18 shkurt 2021 - 13:13
Prokuroria deklarohet për plagosjen e dy personave te Rruga B

29-vjeçari R.R., që dyshohet se plagosi një kalimtar rasti mbrëmë te Rruga B në Prishtinë, e më pas i njëjti është plagosur nga policia, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë. Ai dyshohet se ka kryer vepren penale “Vrasje në tentativë”.

Të shtëna me armë zjarri e tollovi ka ndodhur mbrëmë në një nga pjesët më të frekuentuara të kryeqytetit, Rruga B. Lidhur me rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Policia dhe Prokuroria po hetojnë rastin, teksa motivet janë akoma të panjohura.

“Departamentit të Krimeve të Rënda, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.Në këtë fazë ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndërsa, nga Qendra Klinike Univeristare e Kosovës, aty ku u dërguan për trajtim mjekësor dy të plagosurit, thanë për express se viktimat kanë pësuar plagë të lehta trupore dhe njëri nga ta është liruar menjëherë për në shtëpi.

“Gjendja është stabile, kanë plagë të lehta”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje, Policia e Kosovës njoftoi se 29-vjeçari përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për qytetarët, prandaj u vu në funksion përdorimi i armës së zjarrit nga ana e tyre.

“Duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për qytetarët dhe për vet zyrtarët policor, polica domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të  tilla të rrezikshme të të dyshuarit si dhe për ta vënë të njëjtin nën kontroll, me ç rast është plagosur personin e dyshuar. Personit të dyshuar po ashtu i është sekuestruar arma e përdorur në rast”, njofton policia.

(Kosova Sot Online)