Proteston Kuvendi i të Rinjve në Ferizaj lidhur me ndërtesën e qendrës rinore të qytetit

  • A.P /
  • 18 February 2021 - 19:40
Proteston Kuvendi i të Rinjve në Ferizaj lidhur me ndërtesën e qendrës rinore të qytetit

Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt si shoqëri civile kanë protestuar sot lidhur me ndërtesën e qendrës rinore në Ferizaj. Kjo për shkak se, sipas tyre, kjo qendër rinore është në ndërtim e sipër që pesë vjet dhe është abuzuar me ndërtimin e saj.

Sipas shoqërisë civile, veprimet e tilla kanë mohuar të drejtën e të rinjve për një qendër të tyre.

Vetë Kuvendi i të Rinjve kanë njoftuar mediet përmes një komunikate lidhur me aksionin e tyre të sotshëm.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë:

Shoqëria civile e Ferizajt ka organizuar një aksion protestues nga Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt dhe ka për qëllim që të shprehen pakënaqësitë e të rinjve në lidhje me ndërtesën e qendrës rinore.

Qendra rinore është në ndërtim e sipër me më shumë se 5 vjet dhe është abuzuar me ndërtimin e saj duke ia mohuar të drejtën të rinjve për një qendër të tyre.

Neglizhenca dhe papërgjegjësia e organeve kompetente për këtë çështje ka dëmtuar shumë produktivitetin e të rinjve vullnetarë të qytetit tonë. Kapaciteti, idetë dhe kreativiteti që ofrojnë të rinjtë tanë meritojnë një trajtim më të mirë dhe më me dinjitet andaj përmes këtij aksioni, në mënyrë paqësore e demokratike kërkojmë trajtimin e kësaj çështje që ka ndikim të madh në punën tonë.

Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt në vazhdimësi do të kërkojë nga organet relevante qofshin ato lokale a qendrore që ky problem i cili po dëmton zhvillimin e rinisë të zgjidhet sa më shpejtë dhe të krijohen ambiente komforte të punës për të rinjtë e qytetit.

Shpresojmë që institucionet përgjegjëse për këtë çështje të marrin parasysh pakënaqësitë tona. 

Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt gjatë javëve të kaluara ka dorëzuar tre kërkesa në Drejtorinë Rajonale të Policisë – Ferizaj ku ka kërkuar që të organizojë një marsh nga objekti i Qendrës Rinore deri tek Komuna e Ferizajt, në njoftimin e tretë të dorëzuar edhe pse në njoftim qartësohej se LIGJI NR. 07/L-006 PËR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E PANDEMISË COVID-19 NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS do të respektohet maksimalisht prapë zyrtarët policorë refuzuan kërkesën me arsyen se jemi në gjendje pandemie.

Edhe pse na u mohua e drejta për të shprehur kërkesat nëpërmjet një akti demokratik sikur ai që kishim paraparë ne shfrytëzuam këtë aksion simbolik e protestues për të potencuar se RINIA mbetet shtylla kryesore e shoqërisë e për të duhet punuar më shumë.

(Kosova Sot Online)