Artistja i dhuron çmimin “Guinness” Kosovës në 13-vjetorin e Pavarësisë!

  • G.G /
  • 19 February 2021 - 10:37
Artistja i dhuron çmimin “Guinness” Kosovës në 13-vjetorin e Pavarësisë!

Gjimnazi “Hamësh Jashari” në Skënderaj ka thyer përsëri rekordin e Guinness-it.

Ishte pikërisht flamuri i Republikës së Kosovës, të punuar nga origami, nga artistja Arbnora Fejza Idrizi dhe nxënësit e kësaj shkolle që i dhuroi Kosovës Guinnessin për 13- vjetorin e Pavarësisë.

Artistja Arbnora Fejza Idrizi, nga komuna e Skënderajt, ka njoftuar se Guinness World Record ka aprovuar rekordin e saj për Mozaikun më të Madh Origami – Flamurin e Republikës së Kosovës.

“Me shumë emocione dhe krenari, dua t’ju njoftoj që Guinness World Records sapo ka aprovuar rekordin tonë për Mozaikun më të Madh Origami – Flamurin e Republikës së Kosovës. Të gjitha detajet dhe linkun zyrtar do t’i ndajmë me ju nesër. Këtë flamur e kemi ndërtuar me shumë punë e përkushtim për të festuar ditën e pavarësisë, e ky certifikim është një vulë se puna e mirë shpërblehet në fund çdo here”, ka thënë artistja.

Ndër të tjera, Arbnora Fejza Idrizi ka treguar se punimet për të realizuar këtë flamur kanë zgjatur plot 1 vit e katër muaj.

“1 vit përgatitje, 4 muaj për të krijuar mbi 120,000 fletpalosje origami, 13 orë punë intensive me gjithë ekipin për të krijuar Mozaikun më të Madh Origami më Flamurin e Republikës së Kosovës dhe për të vendosur një rekord të ri botëror”, ka thënë Arbnora.

Po ashtu, edhe kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, e ka quajtur lajmin për këtë rekord të jashtëzakonshëm.

“Flamuri i Republikës së Kosovës i realizuar nga artistja e komunës sonë, Arbnora Fejza Idrizi ka thyer rekordin e Guinness-it. Ajo, në Palestrën Sportive të qytetit tonë, kësaj radhe ka krijuar Mozaikun më të madh Origami në botë.

Artistët tonë, me veprat e tyre madhështore janë ambasadorë të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.Përkrahja ime si kryetar komune për artistët dhe të rinjtë tonë nuk do të mungoj asnjëherë”, ka thënë Jashari.

(Kosova Sot Online)