Vaksina e Pfizer-it s’ka nevojë më të ruhet në temperaturë shumë të ulët

  • E. /
  • 19 February 2021 - 15:27
Vaksina e Pfizer-it s’ka nevojë më të ruhet në temperaturë shumë të ulët

Sipas rezultateve të reja të hulumtimeve, vaksina e kompanive Pfizer dhe BioNTech nuk ka më nevojë që të ruhet në temperaturë më të ulët se dimri i Antarktikut. Kjo do të mundësojë shpërndarje shumë më të gjerë të vaksinës nëpër klinika, barnatore dhe rajone të skajshme.

Të dhënat e qëndrueshmërisë, të cilat kompanitë i kanë dorëzuar te rregullatori amerikan, tregojnë se vaksina mund të mbahet në frigoriferë mjekësorë normalë, në temperaturë nga -15 deri në -25 gradë, deri në dy javë, ndërsa më parë kërkohej që dozat të ruhen në temperaturë nga -60 deri -80 gradë.

Uhur Sahin, shef ekzekutiv i kompanisë BioNTech, tha se mundësia për ta mbajtur vaksinën në temperatura më të larta do t’u ofrojë më shumë fleksibilitet qendrave të vaksinimit, duke shtuar se kompania e tij do të vazhdojë që të zhvillojë formulime të reja për ta bërë vaksinën edhe më të lehtë për t’u transportuar dhe për t’u përdorur.

Vaksina e kompanisë amerikane, Pfizer, dhe asaj gjermane, BioNTech, ishte e para që u miratua për përdorim nga rregullatorët në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, por nevoja për t’i mbajtur dozat në temperaturë -60 gradë e ka ndërlikuar procesin e shpërndarjes, shkruan Financial Times.

Kërkesat e reja për ruajtjen e dozave pritet ta bëjë vaksinën e Pfizer-it më konkurruese në raport me rivalet. Vaksina e kompanisë tjetër amerikane, Moderna, mund të mbahet në frigoriferë të zakonshëm, në temperatura nga 2 deri në 8 gradë për 30 ditë.

Lajmi për ruajtjen në temperaturë më të ulët erdhi në ditën kur në revistën shkencore “Lancet” u publikua një studim, sipas të cilit vetëm një dozë e vaksinës është 85 për qind efektive.

(Kosova Sot Online)