Hyri në një lokal në Pejë, i kërcënoi dhe shtiu me armë

  • A.P /
  • 19 February 2021 - 16:15
Hyri në një lokal në Pejë, i kërcënoi dhe shtiu me armë

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit B.A, për shkak se dyshohet se ka kryer veprat penale ‘grabitje‘, ‘shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm‘, si dhe ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve‘.

Përmes një komunikate për media, Gjykata Themelore në Pejë ka treguar se si i dyshuari kishte hyrë në një lokal në Pejë, dhe nën kërcënimin e armës u ka kërkuar para punëtorëve të lokalit.

“Me datë 26.07.2018, rreth orës 23:20, në një lokal në Pejë, me përdorimin e kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër përvetëson pasurinë e luajtshme të personit të tillë, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që, i maskuar dhe i armatosur hyn në një lokal dhe nën kërcënimin e armës duke shtënë njëherë në drejtim të dyshemesë, iu drejtohet punëtorëve të lokalit, me fjalët “qiti lekët”, ashtu që dëshmitari, nxjerr nga xhepi paratë dhe ia jep të pandehurit, i cili më pas i qetë largohet nga lokali dhe i maskuar e i armatosur hyn në një market në Pejë duke iu drejtuar punëtorëve të marketit me fjalët “mos livrit, qitni lekët”, të cilët ja japin të hollat”, thuhet në komunikatë.

“Ndërkohë vëren një konsumator nga i cili kërkon para dhe kur i njëjti deklaron se nuk ka para, i pandehuri shkrep njëherë me revole në drejtim të dyshemesë e më pas largohet nga marketi, por që ndiqet nga policia të cilët ishin lajmëruar nga qytetarët dhe rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes së bashku edhe me gjësende tjera, është gjetur edhe arma e përdorur nga i pandehuri”,

Të pandehurit B.A i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

(Kosova Sot Online)