Mblidhet KQZ’ja, pritet rinumërimi i 500 vendvotimeve

  • E.K /
  • 22 February 2021 - 11:13
Mblidhet KQZ’ja, pritet rinumërimi i 500 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të paraqesë një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, me disa rekomandime për rinumërimin e rreth 500 vendvotimeve.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Mund të ju konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka treguar edhe se si ka ardhur deri te këto rekomandime.

“QNR-ja ka ardhur deri te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit. Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve; si dhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, ka deklaruar Elezi.

Mbledhja e KQZ’së do të mbahet sot në orën 13:00.

Ndërkohë, kandidatë të disa prej partive kanë kërkuar rinumërim të votave.

(Kosova Sot Online)