Votat e Arben Vitisë në Prishtinë

  • A.P /
  • 23 shkurt 2021 - 18:48
Votat e Arben Vitisë në Prishtinë

Ish-Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti, Arben Vitia, në zgjedhjet e 14 shkurtit, në Prishtinë ka arritur t’i sigurojë mbi 23 mijë vota. Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka arritur ta kalojë me vota numrin sy në listën e VV’së, Vjosa Osmanin, e cila në kryeqytet ka grumbulluar më shumë se 44 mijë vota.

Arben Vitia është përmendur shpesh herë si kandidati ideal i Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë në duar udhëheqjen e Prishtinës.

Megjithëse nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e kanë konfirmuar asnjëherë këtë, zyrtarë të saj kanë deklaruar se nuk ka njeri më të përshtatshëm se Vitia për të garuar në kryeqytet.

Por, sa e kanë votuar prishtinasit Arben Vitinë në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Në llogaritjen e 228 vendvotimeve në kryeqytet që ka bërë Gazeta Express, del se ish-drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, ka marrë mbi 23 mijë vota.

Votat e Vitisë në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë shënuar rritje krahasuar me ato të vitit 2019, ku ai në Prishtinë kishte marrë 11 mijë e 445 vota, e në tërë Kosovën 26 mijë e 106 vota.

Megjithëse Vitia këto zgjedhje mori më shumë vota në Prishtinë, ai ka mbetur pas Vjosa Osmanit, e cila me iniciativën e saj në këto zgjedhje ka hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ku mbante numrin dy.

Osmanin e kanë votuar më shumë se dyzetekatër mijë qytetarë në kryeqytet, ndërkaq diferenca mes saj dhe Vitisë është rreth 20 mijë vota.

Sipas raportimeve jozyrtare nëpër media, Osmani ka marrë mbi 250 mijë vota në tërësi. Nëse kjo qëndron, atëherë Osmani bëhet politikania më e votuar ndonjëherë në Kosovë, me sistemin zgjedhor me lista të hapura. Këto vota nuk përfshijnë akoma votat me kusht dhe votat me postë.

Ndërkohë, Osmani ka lënë pas vetes edhe numrin 3 në Lëvizjen Vetëvendosje, Glauk Konjufcën.

Konjufca ka arritur të sigurojë mbi 30 mijë e 500 vota në Prishtinë, duke bërë që diferenca ndërmjet tij dhe Osmanit të jetë mbi 13 mijë e 500 vota.

(Kosova Sot Online)