Sherri për parkimin, policia jep detaje për plagosjen e nënë dhe bir

  • E.K /
  • 24 shkurt 2021 - 10:10
Sherri për parkimin, policia jep detaje për plagosjen e nënë dhe bir

Është zbardhur dhe është dokumentuar me prova ligjore, ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbetën të plagosur me armë zjarri nënë e bir.

Kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i dyshuar për plagosjen e dyfishtë.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.

Shpallen në kërkim dhe 2 bashkëpunëtorët e autorit të ngjarjes, të cilët u përfshinë në konflikt, si dhe procedohet penalisht 1 shtetas tjetër.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas një pune intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, bënë zbardhjen e saj dhe identifikimin e autorit kryesor të ngjarjes. Në bashkëpunim me DVP Elbasan u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. J., 33 vjeç, banues në Peqin.

Mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës, ka ndodhur një konflikt i çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, midis shtetasit O. Ç. dhe Z. J.

Si pasojë e goditjeve u lëndua shtetasi Z. J., i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Më pas konflikti u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit dhe si pasojë mbetën të plagosur nënë e bir.

Fillimisht u dyshua se autor i kësaj ngjarje ishte shtetasi Z. J., por pas hetimeve të shpejta dhe profesionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës , rezultoi se shtetasi E. J. (i arrestuar), pas konfliktit të ndodhur midis vëllait të tij, shtetasit Z. J. dhe O. Ç., ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit F. Ç., 23 vjeç dhe shtetases V. Ç., 51 vjeçe (e ëma), të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të hetimeve është bërë shpallja në kërkim e shtetasve A. J., 34 vjeç (vëllai i autorit) dhe O. N., 28 vjeç, pasi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. J., kanë konsumuar veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, si dhe u procedua penalisht shtetasi O. Ç. (vëllai i shtetasit F. Ç.), për veprën penale ” Dëmtime të tjera me dashje”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve shërbimet e Policisë kanë krehur zonën dhe kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit, të cilën autori pas ngjarjes e kishte hedhur në distancë të largët nga vendi i ngjarjes.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

(Kosova Sot Online)