Kryeministri armen kopjon Erdoganin, nxjerr popullin kundër ushtrisë

  • E.K /
  • 26 February 2021 - 11:55
Kryeministri armen kopjon Erdoganin, nxjerr popullin kundër ushtrisë

Situata politike në Armeni është përkeqësuar, pasi gjenerali i ushtrisë së këtij vendi bëri thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Nikol Pashinyan. Sidoqoftë, ky i fundit duket se nuk e ka ndërmend që t’i nënshtrohet ushtrisë, sepse të enjten mblodhi rreth 20.000 përkrahës për ta kundërshtuar, siç tha ai, tentimin për puç.

Pashinyan është përballur me protesta masive dhe thirrje nga opozita për të dhënë dorëheqje pas konfliktit të përgjakshëm 6-javor mes Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene, të cilat pësuan humbje territoriale nga ushtria azere e përkrahur nga Turqia.

Kryeministri armen, duke folur para rreth 20.000 përkrahësve të mbledhur në qendër të kryeqytetit Yerevan të enjten, tha se armenët nuk do ta lejojnë ndërhyrjen e forcave të armatosura që të ndërhyjnë, pasi gjeneralët ushtarakë iu bashkuan thirrjes së opozitës për dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë.

Vazgen Manukian, kandidati i përbashkët i opozitës për kryeministër, ka kërcënuar me protesta të vazhdueshme derisa kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për ta shkarkuar kryeministrin dhe për të caktuar zgjedhje të parakohshme, shkruan Free Europe.

Thirrjet e opozitës dhe gjeneralëve për dorëheqjen e kryeministrit Pashinyan i kundërshtoi Ministria e Mbrojtjes. Përmes një deklarate, kjo ministri tha se çfarëdo përfshirje e ushtrisë në politikë është e papranueshme.

Për këtë gjendje kanë reaguar edhe fuqitë botërore. Shtetet e Bashkuara, që kanë raporte të mira me Armeninë, bënë thirrje për të gjitha palët që ta shmangin dhunën. Thirrje të ngjashme bëri edhe Rusia. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan.

Sjellja e kryeministrit armen ngjan me deklaratën që kishte bërë presidenti turk, Rexhep Erdogan, në verën e vitin 2016, kur kishte kërkuar nga populli që të dilte në rrugë dhe ta kundërshtonte puçin ushtarak, i cili kishte dështuar.

(Kosova Sot Online)