Kuvendi i Holandës njeh gjenocidin e Perandorisë Osmane ndaj armenëve, reagon Turqia

  • G.G /
  • 26 shkurt 2021 - 12:14
Kuvendi i Holandës njeh gjenocidin e Perandorisë Osmane ndaj armenëve, reagon Turqia

Turqia të premten reagoi kundër vendimit të Dhomës së Përfaqësuesve në Holandë për t’i njohur ngjarjet e vitit 1915 si gjenocid kundër armenëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Turqi, Hami Aksoi, tha se ky vendim dhe thirrja për qeverinë që ta njohë këtë ngjarje si gjenocid është përpjekje e pavlefshme për ta rishkruar historinë me motive politike.

“Këshillat nuk janë vende ku shkruhet dhe gjykohet historia. Ata që pajtohen me këtë vendim, në vend që të shikojnë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë më 1915, janë të dhënë pas votave si populistë”, tha ky zëdhënës.

Ai i ftoi politikanët që e nënshkruan vendimin për t’i analizuar Konventën e OKB-së për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit të vitit 1948 dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shkruan Anadolu.

Sipas Aksoit, Dhoma e Përfaqësuesve në Holandë është shkëputur nga realiteti, njësoj siç ka qenë shpesh viteve të fundit.

Gjenocidi armen nga shumica e historianëve përshkruhet si vrasja masive dhe sistematike si dhe spastrimi etnik i rreth një milion armenëve etnikë nga Anadolli, të shkaktuar nga Perandoria Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ushtarët armenë që ishin pjesë e Ushtrisë Osmane u çarmatosën në shkurt të vitit 1915 dhe më vonë u vranë.

(Kosova Sot Online)