Dy vëllezër të arrestuar në aksionin “Subvencioni 2021”, dyshohen se kanë dhënë ryshfet për një grant

  • E.K /
  • 26 February 2021 - 13:16
Dy vëllezër të arrestuar në aksionin “Subvencioni 2021”, dyshohen se kanë dhënë ryshfet për një grant

Është mbajtur seanca ndaj 11 të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e aksionit policor “Subvencioni 2021”.

Behar Ejupi, avokat i Pajtim Krasniqit, pas përfundimit të seancës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka deklaruar se klienti i tij është i pafajshëm ndaj pretendimeve të Prokurorisë.

Ai tha se Krasniqi nuk e mban pozitën zyrtare në AZHB, për të cilën është duke pretenduar Prokuroria.

“Prokuroria pretendon se i njëjti ka kryer dy vepra penale ‘dhënie e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’. Konsideron se ka prova të mjaftueshme. Mbrojtja e ka kundërshtuar pasi që i njëjti nuk është në pozitën për të cilën dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Edhe kolegët e tjerë e kanë kundërshtuar fuqishëm caktimin e paraburgimit.  Ne i kemi dhënë arsyetimet tona se pse nuk duhet që tu caktohet kjo masë, por është çështje e Gjykatës.

Më tutje avokati njoftoi se në këtë rast Krasniqi është së bashku me vëllain e tij.

“Rasti është bashkë me vëllain e tij. Të dy dyshohet  se kanë dhënë ryshfet lidhur me subvencionet. I njëjti ka pranuar një subvencion që është sipas rregullave dhe nuk ka të bëj me dhënie të ryshfetit”, ka thënë më tutje ai.

(Kosova Sot Online)