Fermeri nga Prizreni në prag të falimentimit, thotë se nuk iu dhanë subvencionet nga 2017-a

  • 27 February 2021 - 09:08
Fermeri nga Prizreni në prag të falimentimit, thotë se nuk iu dhanë subvencionet nga 2017-a

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës së fundmi ka realizuar disa aksione policore në pesë komuna, ku ka rezultuar me arrestimin e 19 personave nën dyshimet për keqpërdorime të subvencioneve bujqësore, si dhe ka sekuestruar afro gjysmë milionë euro, vetura, telefona, armë dhe disa kompjuterë.

Aksioni policor “Subvencioni 2021”, ka shpërfaqur keqpërdorime të shumta që janë bërë me subvencione bujqësore tash e disa vjet në Kosovë. E, pas aksioneve, në publik ka pasur edhe reagime të shumta të qytetarëve, të cilët kanë bërë publike eksperiencat e tyre të hidhura lidhur me këto subvencione.

Së fundmi, ka ardhur edhe një ankesë nga fermeri Liridon Ahmetaj nga Korisha e Prizrenit.

Ahmetaj ka treguar se në vitin 2017 kishte aplikuar për një grant në Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë për renovimin dhe zgjerimin e stallës së dhive, ai kishte fituar këtë grant në vlerë prej 77 mijë euro.

Pas kësaj, Ahmetaj kishte filluar ndërtimin e sallës dhe kishte finalizuar atë, por që mjetet nuk iu ishin rimburësuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë. Pasi nuk mori paratë, ai kishte paditur Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në Gjykatën Themelore por që kërkesa e tij ishte refuzuar.

Ai rrëfen se në nëntor të vitit 2020 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte kthyer në rishqyrtim lëndën e tij, duke vendosur më pas në favor të tij, por që nga ajo kohë ai ende nuk ka marrë mjetet e tij.

“Më 2017 kam aplikuar për një grant në Ministrinë e Bujqësisë, për renovimin dhe zgjerimin e stallës për dhi, kam dërguar të gjitha dokumentet e nevojshme me to edhe planin ideor më është miratuar në vlerë 77,044.00 euro (70%- 53,930.80€) dhe kam marr lejen komunale, kam filluar ndërtimet dhe i kam mbaruar plani ideor është realizuar 100%. Kam bërë kërkesën për pagesë dhe pas një kohe ka ardhur komisioni vlerësues prej dy anëtarëve Avdi Llolluni, Nesrete Haxhiavdyli dhe kanë plotësuar raportin disa faqesh dhe në fund e kanë shkruar që janë plotësuar standardet minimale kombëtare pastaj çuditërisht nga AZHB e kanë dërguar edhe një komision tjetër apo ri-kontroll i përberë nga dy anëtarë Shpejtim Arifaj, Mexhit Halimi, edhe këta e kanë shkruar dhe cekur në fund të raportit që shtalla i plotëson standardet nacionale”, thotë ai.

Ahmetaj, thotë se për një periudhë të gjatë ka pritur t’i marrë mjetet financiare.

“Dhe pas gjithë këtyre etapave duke pritur të më lirohen mjetet më ka ardhur vendim kontravers tërësisht i pa bazë me arsyen se ferma nuk i plotëson kushtet për stalle për dhi ( ani pse ashtu me është miratuar) 100% është realizuar plani ideor dhe komisionet e kanë pranuar dhe kanë thënë që i plotëson kriteret. Ky vendim është nxjerrë nga drejtoria e miratimit të pagesave nga drejtori Agim Nuha. Sidoqoftë unë kam bërë ankesë në AZHB është mbledhur një komision prej 3 anëtarë edhe pas një kohë më është kthyer negativ me arsyen kontraverse ndaj eksperteve se nuk plotësohen kriteret. Edhe pse fare nuk ka ardhur ai komision në teren për ta shikuar stallen nga afër komisioni i përberë nga tre anëtar Luan Statovci kryetar, Teuta Maqani, Ismajl Kastrati”, sqaroi ai.

Tutje, ai rrëfeu për paditë që ka bërë.

“Pastaj i kam paditur AZHB në Gjykatën Themelore në Prishtinë në maj të vitit 2018. Pastaj, unë nuk jam ndalur për ta kërkuar të drejtën time kam bërë ankesë të ish ministri Nenad Rikallo, sekretari Kapllan Halimi dhe Shefki Zeqiri nga zyra ligjore ka marrë vendim negativ për mua. Unë prapë s’jam ndalur kam bërë ankesë te ministrja Dijana Zivic dhe sekretari Kapllan Halimi dhe Shefki Zeqiri përsëri këta më kanë kthyer përgjigje negative. Pastaj, edhe me këshilltarin e ministrit Besian Mustafa kam kontaktuar dhe shkaku i pandemisë fizikisht nuk jemi takuar por ia kam dorëzuar në email të gjitha dokumentet dhe historikun por pas një kohë me kanë kthyer përgjigje negative.

Të gjitha investimet që janë realizuar janë në përputhje me udhëzimin administrativ 02/2017. Nuk po kërkojë asnjë favor nga askush por po e kërkoj të drejtën time, paratë e mija, sepse mirëqenia e ime është shkatërruar, sepse kemi marr huazime dhe kredi për t’i paguar faturat e stallës për ta bërë kërkesën për pagesë në vlerë të 85,410.63 €”, thotë ai.

Ahmetaj në fund të deklaratës për Telegrafin, tregoi se Gjykata ka vendosur në favor të tij gjatë nëntorit 2020 dhe se mjetet ende nuk i ka marrë.

“Në nëntor të vitit 2020 Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në favorin tim dhe ka marrë vendim të rikthej lëndën në rishqyrtim në ministri dhe ministria pas një muaji ka vendosur në favorin tim duke e formuar komisionin prej pesë anëtarëve kryesuar nga Arizona Dibra dhe ma kanë dhënë të drejtën time. Dhe është dashur automatikisht që mjetet e mia të liroheshin dhe alokoheshin në llogarinë time, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur tash e dy muaj. I bëj thirrje AZHB dhe ministrit Besian Mustafa që sa më shpejtë të alokohen mjetet e mia në llogarinë time. Të gjithë abuzuesit që kanë abuzuar për tri vite radhazi do të japin llogari para drejtësisë dhe të gjithë ata që vazhdojnë të abuzojnë do të përfundojnë njëjtë. Por shpresoj që do të veprojnë shpejtë AZHB dhe mjetet e mia të lirohen”, potencoi ai.

Femeri tha se biznesi i tij tash është shkatërruar.

“AZHB e ka shkatërruar biznesin tim ne startuam me 60 krerë dhi në 2015 dhe arritëm të kishim 600 krerë dhi kur e zgjeruam fermën. Sepse synimi jonë ishte të e zhvillojmë biznesin dhe të krijojmë edhe një qumështore me kapacitete të mëdha por që tani na kanë shkatërruar duke e sjellur biznesin para falimentimit, por shpresojmë që të lirohen këto mjete dhe të rimëkëmbemi duke mos e lënë biznesin të falimentoj”, tha ai.

Ndryshe, sa i përket aksionit “Subvencioni 2021”, Policia njofton se bazuar në hetimet e zhvilluara ekzistojnë dyshime të bazuara se personat e dyshuar përmes dhënies së ryshfetit kanë arritur që të marrin subvencione nga Ministria e Bujqësisë. 

(Kosova Sot Online )