Një top misterioz nga metali gjendet në një plazh

  • E.K /
  • 27 February 2021 - 10:34
Një top misterioz nga metali gjendet në një plazh

Një top i çuditshëm nga titani me mbishkrim në gjuhën ruse është gjetur në plazhin e Bahameve.

Një grua britanike, e quajtur Manon Clarke, e pa topin 41-kilogramësh në rërë përderisa ishte duke ecur me familjarët në Ishullin Harbour, shkruan Independent.

“Ne shkuam për të ecur në një vend tjetër sesa ku shkojmë zakonisht dhe e vërejta këtë “hënë” ngjyrë argjendi që shkëlqente jashtë rërës”, tha britanikja 24-vjeçare.

“E pamë shkrimin rus anash, prandaj filluam ta largojmë rërën për të parë më shumë, që ishte veprim i guximshëm, sepse nuk kishim ide se çfarë mund të jetë”, shtoi ajo.

Ekspertët e hapësirës besojnë se ky top mund të jetë rezervuar karburanti për ndonjë satelit apo aeroplan, ndonëse ende nuk është e qartë se nga ka rënë dhe si përfundoi topi në plazh.

Mark Morabito, astronaut në trajnim, tha se është 99 për qind i sigurt se objekti është rezervuar karburanti i një rakete të një lloji të caktuar. Sipas tij, këto objekte përdoren në raketat pa njerëz për lëshimin e satelitëve.

Teksti në rusisht thotë se objekti mund të operojë në temperatura nga -170 gradë deri në -196 gradë, kapacitet prej 43 litrave, peshë maksimale prej 41 kilogramëve dhe besohet se është prodhuar në vitin 2018.

(Kosova Sot Online)