Nëna e mbyt të bijën 9 vjeçe duke e rrahur “për t’ia trembur djallin”

  • E.K /
  • 02 March 2021 - 11:00
Nëna e mbyt të bijën 9 vjeçe duke e rrahur “për t’ia trembur djallin”

Një vajzë 9-vjeçare është rrahur për vdekje gjatë ritit të ekzorcizmit, që sipas disa besimeve përdoret për t’ia larguar djallin njeriut.

Policia në Sri-Lankë njoftoi të hënën se ka arrestuar dy persona në lidhje me vdekjen e vajzës që u rrah në mënyrë të vazhdueshme gjatë ritualit, shkruan Daily Mail.

Dy të dyshuarat – gruaja që e kreu ekzorcizmin dhe nëna e vajzës – pritej të paraqiteshin në gjykatë të hënën për t’i dëgjuar akuzat. Rasti ndodhi në fundjavë në Delgoda, qytezë e vogël rreth 40 kilometra në verilindje të kryeqytetit Colombo.

Sipas zëdhënësit të policisë, Ajith Rohana, nëna e vajzës së ndjerë besonte se e bija është prekur nga djalli dhe e dërgoi atë në shtëpinë e ekzorcistes për t’ia kryer ritualin për dëbimin e djallit.

Zyrtari tha se gruaja e dyshuar fillimisht e lagi vajzën me vaj dhe më pas filloi ta godiste në mënyrë të përsëritur me një shkop.

Kur vajzës i humbi vetëdija, ajo u dërgua në spital, ku vdiq. Autoritetet pritet t’ia bëjnë autopsinë trupit të pajetë.

Gruaja që bëri ekzorcizëm te vajza e vogël është e njohur në zonë për ofrimin e këtij shërbimi dhe policia është duke hulumtuar nëse ka pasur viktima tjera.

Zëdhënësi i policisë bëri thirrje për më shumë kujdes rreth shërbimeve të tilla, sepse vajza nuk ishte e para që ka vdekur në një ritual të tillë.

(Kosova Sot Online)