Sot pritet që t'i marrin pagat Minatorët e Trepçës

  • E.K /
  • 02 March 2021 - 12:55
Sot pritet që t'i marrin pagat Minatorët e Trepçës

Rreth 1 mijë minatorë të minierës Trepça në Stantërg, por edhe të minierave të tjera të Trepçës, të cilët kanë ndërprerë punën prej dje pritet që sot të marrin pagat e prapambetura.

Njoftimi u bë nga Ministria e Ekonomisë që tha se kishin nënshkruar marrëveshje për ndihmë financiare me Trepçën për subvencione dhe investime kapitale në shumën prej 3 milionë euro që më 16 shkurt, por se procedurat kanë bërë që pagat të mos ekzekutohen menjëherë.

“Procedurat e pagesës së mjeteve marrin pak kohë dhe sapo jemi njoftuar se tashmë janë kryer pagesat dhe punëtorët e Trepçës sot gjatë ditës pritet t’i marrin pagat e tyre. Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka ndihmuar Trepçën. Në nëntor të vitit të shkuar, Qeveria kishte ndarë 1.1 milion për këtë ndërmarrje”, thuhet në njoftim.

Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, gjatë së hënës bëri të ditur për KosovaPress se një pjesë e punëtorëve kanë marrë 70 për qind të pagave të janarit, ndërsa një pjesë tjetër nuk kanë marrë fare. Sipas tij, tani punëtorët është dashur t’i marrin pagat për muajin shkurt, të cilat po ashtu nuk janë ekzekutuar.

“Nuk janë paguar pagat e janarit, një pjesë i kanë marrë 70 për qind, kurse një pjesë nuk i kanë marrë fare. Tash erdhi koha edhe pagën e shkurtit me marrë në mars. 1 milion e 700 mijë euro janë ndarë prej Qeverisë së Kosovës, që dy javë janë nënshkruar (dokumentet) të gjitha dhe dikush po bënë pengesë. 770 punëtorë i ka Trepça me flotacion edhe 300 janë në Kishnicë, të cilët na kanë përkrahur sepse edhe ata nuk janë duke punuar, do të thotë afërsisht 1 mijë punëtorë nuk janë duke punuar”, deklaroi ai.

(Kosova Sot Online)