Qeveria në ikje e shkeli ligjin anti-Covid në fushatë zgjedhore dhe dështoi me vaksinën, qytetarët e rrezikuar nga përhapja masive e infeksionit dhe vdekjet nga Covid-19

Qeveria në ikje e shkeli ligjin anti-Covid në fushatë zgjedhore dhe  dështoi me vaksinën, qytetarët e rrezikuar nga  përhapja masive  e infeksionit dhe vdekjet nga Covid-19

Gani Qarri

  • 02 March 2021 - 07:44

Shkruan: Gani Qarri

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, menjëherë ka filluar të shfaqet dhe zbulohet e tërë egoja kriminale e kastës së degjeneruar politike, e cila hapi lojë të rrezikshme me shëndetin e qytetareve në fushatën zgjedhore me shpresë të ruajtjes së pushtetit që kishte edhe pas 14 shkurtit, duke lejuar dhe organizuar edhe vet, tubime masivë elektorale me qëllim të mashtrimit dhe grabitjes së votës së qytetarëve, ndërsa tani, çmimin e kësaj loje të pa etikë , duhet ta paguajnë qytetarët me trendin e rritjes së rasteve të reja të infektimit me Covid-19.

Përderisa rastet e reja të infektimit po shtohen dita e ditës, Qeveria në ikje, thotë se po planifikon ashpërsim të kushteve me masa shtesë, duke u bërë thirrje paralajmëruese qytetareve për kinse rritje të kujdesit, derisa vet mbylli sytë dhe nuk mori fare përgjegjësi për atë çfarë kanë bërë e çka ka lënë mbrapa nga fushata zgjedhore, kur partitë politike i dënuan vetëm sa për sy e faqe për shkelje të Ligjit dhe rregullave për mbrojtje nga covid-19, përderisa qytetarët dënohen me gjoba tejet të rënda nga organet e rendit.

Sikur mos të mjaftonin vetëm këto gafa të qeverisë në ikje, politikanët e dështuar e lakmitar sillen kaq pa vetëdijshëm ndaj qytetarëve të vendit, kur dihet mirëfilli se dështimi në menaxhimin e pandemisë në fushatën zgjedhore, nuk mund të mbulohet, tek tani me ashpërsimin e masave të reja, me dënime e gjoba për qytetarët dhe bizneset, pasi që asnjë organ shtetëror më nuk ka kredibiltet moral as ligjor që të kërkojë nga qytetari i thjeshtë respektim te masave, të cilat u shkelën me të dy këmbët pikë së pari nga vet qeveria, udhëheqësit e partive dhe të shtetit të Kosovës gjatë gjithë fushatës zgjedhore.

Për aq më tepër, megjithëse edhe ekspertët e fushës së shëndetësisë kishin paralajmëruar me kohë, se humbja e kontrollit gjatë ditëve të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve në vend, është një lëshim i rëndë nga ana e vet qeverisë, keq-menaxhim i skajshëm i situatës dhe mos përmbajtja konformë rregullave anti-Covid, ka bërë që në ditët dhe javët në vijim të rritet edhe më tepër numri i të infektuarve.

Kështu që politika kriminale e cila e zhvati kaq pamëshirshëm gjithë vendin për dy dekada me radhë, dëshmoi edhe një herë më tepër, se për ta mbajtur të kapur shtetin dhe pushtetin, është në gjendje të sakrifikoj edhe jetët e qytetarëve të pa vetëdijshëm dhe të pa informuar sa duhet mbi rrezikun e virusit, derisa zotimi dhe premtimet për sigurimin e vaksinës, mbetet vetëm edhe një mashtrim më tepër dhe premtim i harruar, i përdorur për konsum elektoral përball rrezikut të një shpërthimi të ri të virusit Covid-19, në vend.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".