Haradinaj tregon nëse AAK do ta votojë Osmanin për presidente

  • A.P /
  • 02 March 2021 - 23:47
Haradinaj tregon nëse AAK do ta votojë Osmanin për presidente

Kreu i AAK-së ka thënë se, kanë disa propozime për partinë fituese të zgjedhjeve nëse u kërkohet partneritet.

Vjosa Osmani që aktualisht është ushtruese e detyrës së presidentit, mund ta mbajë këtë pozitë më së largu deri më 5 maj të këtij viti.

Por e njëjta, përmes marrëveshjes parazgjedhore që ka arritur me LVV-në, kandidon për të marrë pozitën e plotë të shefës së shtetit.

Megjithatë, përkundër fitores së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, LVV e vetme nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Osmanin presidente.

E për këtë çështje u raportua se LVV i kishte bërë një ofertë, kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

E kjo e fundit ishte që kreu i AAK-së të merrte pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Por vetë Haradinaj, mohoi një gjë të tillë, duke thënë se, me Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë pasur asnjë lloj komunikimi.

Haradinaj nuk tregoi nëse partia e tij do e bënte koorumin dhe ta votonte Vjosa Osmanin për Presidente, nëse kanë një marrëveshje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Pasi tha se kanë propozimet e tyre për partinë fituese.

Kushdo që garon për postin e shefit të shtetit, sipas nenit 86 të Kushtetuesës duhet të marrë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Nëse në raundin e parë dhe të dytë, asnjëri nga kandidatët nuk i siguron 80 vota, shkohet në raundin e tretë, ku presidenti zgjidhet me shumicën e thjeshtë, 61 vota.

(Kosova Sot Online)