Franca e pranon krimin e 1957-s: Ushtria jonë e torturoi dhe e vrau aktivistin algjerian, s’u vetëvra

  • G.G /
  • 03 March 2021 - 13:05
Franca e pranon krimin e 1957-s: Ushtria jonë e torturoi dhe e vrau aktivistin algjerian, s’u vetëvra

Ndonëse me mbi gjashtë dekada vonesë, Franca e ka pranuar zyrtarisht se aktivisti për pavarësinë e Algjerisë, Ali Boumendjel, është torturuar dhe është vrarë nga ushtria e saj në vitin 1957.

Boumendjel ishte arrestuar gjatë Luftës Algjeriane për Pavarësi në vitin 1957. Vdekja e tij ishte paraqitur si vetëvrasje, shkruan BBC.

Megjithatë, gjatë një takimi që pati me nipërit dhe mbesat e aktivistit, presidenti francez, Emmanuel Macron, e sqaroi të vërtetën. “Ai nuk ka kryer vetëvrasje. Ai është torturuar dhe është vrarë”, tha ai.

Algjeria e fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1962, pas një lufte të përgjakshme që zgjati shtatë vjet.

Boumendjel, avokat dhe nacionalist që atëherë ishte në moshën 37-vjeçare, ishte aktiv në fushatën kundër pushtetit kolonialist francez. Ai ishte ndaluar gjatë Betejës së Algjerit nga trupat franceze.

Aktivisti më pas ishte vrarë dhe ishte hedhur nga kati i gjashtë i një ndërtese në përpjekje për ta paraqitur vrasjen e tij si vetëvrasje.

Presidenti francez tha se pranimi i së vërtetës është bërë në emër të Francës. Veprimi i rrallë është pjesë e një vargu të masave që e kanë për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve mes Francës dhe Algjerisë dhe për mënyrën se si të dyja vendet e kujtojnë luftën që i dha fund pushtetit kolonialist.

(Kosova Sot Online)