Miroslav Lajçak: Kurtit i duhet pak kohë të njihet me dialogun, BE dhe SHBA presin që dialogu të vazhdojë së shpejti

  • G.G /
  • 03 March 2021 - 13:06
Miroslav Lajçak: Kurtit i duhet pak kohë të njihet me dialogun, BE dhe SHBA presin që dialogu të vazhdojë së shpejti

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përfundoi vizitën e tij tre-ditore në Kosovë sot.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë menjëherë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Lajçak informoi fituesin e zgjedhjeve, kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti, në detaje mbi progresin e bërë në Dialogun Prishtinë-Beograd që nga rifillimi i tij në Korrik 2020.

Ata diskutuan gjithashtu hapat e ardhshëm përpara.

“Z. Kurti dhe unë kemi pasur një bisedë shumë të sinqertë dhe konstruktive. Derisa unë e kuptoj që Z. Kurti do të i duhet pak kohë për t’u njohur me Dialogun dhe marrëveshjet e tij, si BE ashtu edhe SHBA presin që procesi i normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë së shpejti. Jam shumë i kënaqur kur dëgjoj që Z. Kurti e kupton rëndësinë e Dialogut, ” ka thënë Lajçak.

Në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçëm Lajçak zhvilloi takime me Presidenten në detyrë Vjosa Osmani, Kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti dhe liderët e partive politike, përfshirë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe për të theksuar rëndësinë e unitetit në Dialog përtej linjave partiake. Ai gjithashtu u takua me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, foli me ambasadorin e SHBA dhe informoi shtetet anëtare të BE-së mbi bisedat e tij.

Nga Prishtina, ai vazhdon për në Beograd dhe Podgoricë si pjesë e vizitës së tij në rajon.

(Kosova Sot Online)