Gjermania do ta spiunojë partinë anti-islamike, AfD, e cilëson grup ekstremist

  • G.G /
  • 03 March 2021 - 13:31
Gjermania do ta spiunojë partinë anti-islamike, AfD, e cilëson grup ekstremist

Shërbimet gjermane të inteligjencës e kanë futur në listën e grupeve ekstremiste partinë e së djathtës ekstreme, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), raportojnë mediet lokale.

Partia nacionaliste tashmë është nën vëzhgim në disa rajone të Gjermanisë, por vendimi i ri nënkupton që veprimet e kësaj partie mund të vëzhgohen në nivel shteti, shkruan BBC.

Megjithatë, mediet gjermane raportojnë se cak i spiunimeve shtetërore nuk do të jenë deputetët e Parlamentit Evropian dhe deputetët në Bundestag që vijnë nga radhët e kësaj partie.

Një zëdhënëse e partisë që njihet për qëndrimet kundër Bashkimit Evropian dhe kundër imigrantëve tha se ky është vendim i pastër politik dhe se “Alternativa për Gjermaninë” do të marrë masa ligjore kundër këtij “klasifikimi të padrejtë”, siç u shpreh ajo.

Nëse konfirmohet, kjo do të ishte hera e parë në historinë e Gjermanisë pas luftës që një parti politike me ulëse në Bundestag cilësohet nga autoritetet si grup ekstremist.

E themeluar në vitin 2013, partia AfD haptazi mban qëndrime anti-islamike. Ajo është partia më e madhe opozitare në ekonominë më të fuqishme të Evropës. Popullariteti i saj u rrit në vitin 2015, pasi në Gjermani u futën gati një milion imigrantë.

(Kosova Sot Online)