Këto janë rezultatet finale të votave me postë

  • A.P /
  • 03 March 2021 - 19:43
Këto janë rezultatet finale të votave me postë

Ka përfunduar numërimi i votave të dërguara me postë në QNR.

VV ka marrë më së shumti vota me 44252 vota, ndërkohë e dyta është PDK me 5321 vota ndërsa LDK e treta me 4287 vota. AAK ka 1112 vota.

KQZ ka bërë të ditur se nesër do të dalin me rezultatet përfundimtare.

“Në këto momente është përmbyllur edhe numërimi i votave nga jashtë Kosovës. KQZ-ja do të shpall të enjten rezultatet përfundimtare, në ditën e 18 pas ditës së zgjedhjeve, ashtu si më 2014 dhe 2017. Pavarësisht kësaj, kjo është një kohë rekord për faktin se si në asnjë proces tjetër, kësaj radhe janë rinumëruar më shumë vendvotime (564) dhe janë numëruar më shumë se 32 mijë vota me kusht dhe rreth 57 mijë vota të ardhura përmes postës”, ka shkruar Valmir Elezi.

Por, pas shpalljes zyrtare të rezultateve nga KQZ’ja, partitë dhe  kandidatët kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), brenda 24 orëve. Pas PZAP’së, ankesa ata mund të bëhen edhe në Gjykatën Supreme

E këto ankesa mund ta shtyjnë edhe më tej certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, duke i hapur kështu rrugën konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ’ja i certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit.

“106.1 KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha vërejtjet e dala që u përkasin votimit dhe numërimit janë vendosur nga Komisioni Zgjedhor për Parashtresat dhe Ankesat dhe nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

(Kosova Sot Online)