Hoxha flet për letrën që pranoi: Radoiçiq ka thënë se kur të pensionohet Syla do të më hiqet urdhër-arresti

  • A.P /
  • 03 mars 2021 - 22:43
Hoxha flet për letrën që pranoi: Radoiçiq ka thënë se kur të pensionohet Syla do të më hiqet urdhër-arresti

Ish- prokurori special Sylë Hoxha, i cili hetoi rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, tregoi për një letër që kishte pranuar para se të dilte në pension.

Ai tha se në letrën që kishte pranuar përmendej Millan Radoiçiq.

 “Gjatë asaj kohe sa kam punuar ka ardh një letër me shkrim, thuhet se më 10 shkurt Sylë Hoxha del në pension dhe nuk do të më ndjekin më. Informacioni më ka ardhur në formë të shkruar”, thotë Hoxha në debatin e sotëm “Kallxo Pernime”.

Ai shtoi se nuk e di nga i kishte ardhur letra, ndërsa veprimin e tërheqjes së urdhër- arrestit ndaj Radoiçiqit e cilësoi si të habitshme.

“M’u duk e habitshme, e papritur për mua duke pasur parasysh se ka pasur, ka elemente për çka është lëshuar urdhër-arresti dhe duhet të zhvillohet procedurë ndaj tij.  Nuk jam në dijeni se a ka pasur ndonjë zhvillim për tërheqjen e urdhër- arrestit”, tha Hoxha.

Hoxha në gusht të vitit 2019 kishte kërkuar që ndaj Radoiçiqit të lëshohej urdhër-arresti pasi që i njëjti nuk ishte dorëzuar te organet e drejtësisë pavarësisht ftesave që i ishin bërë.

(Kosova Sot Online)