Shtetet me më shumë njerëz me mbipeshë kanë më shumë viktima të koronavirusit

  • E.K /
  • 04 March 2021 - 12:12
Shtetet me më shumë njerëz me mbipeshë kanë më shumë viktima të koronavirusit

Shtetet me përqindje më të madhe të popullsisë me mbipeshë, si Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, kanë gjithashtu shkallën më të lartë të vdekjeve nga Covid-19, sipas një raporti, duke nxitur thirrje për qeveritë që ta luftojnë mbipeshën dhe t’u japin përparësi për vaksinim personave me mbipeshë.

Rreth 2.2 milionë nga 2.5 milionë vdekjet nga Covid-19 janë regjistruar në shtetet me përqindje të lartë të personave me mbipeshë, thuhet në raportin e Federatës Botërore të Obezitetit. Vendet si Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Italia, ku mbi 50 për qind e të rriturve janë me mbipeshë, kanë përqindjen më të madhe të vdekjeve të lidhura me koronavirusin.

Problemi nuk është vetëm te mbipesha, por edhe te niveli i peshës që shumë njerëz e vlerësojnë si normal në shumë shtete. Shkalla e vdekjeve ishte dhjetë herë më e madhe në shtetet ku mbi gjysma e të rriturve ka indeks të masës trupore prej 25 kilogramë për metër katror, shkruan The Guardian.

Federata Botërore e Obezitetit tha se njerëzve që kanë mbipeshë duhet t’u jepet më shumë prioritet për vaksinim dhe testim për Covid-19 për shkak të rrezikut të shtuar nga vdekja.

Në mesin e shteteve ku mbi gjysma e të rriturve janë me mbipeshë, Belgjika e ka nivelin më të lartë të vdekjeve. Pas saj radhiten Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar. Italia është e pesta, Portugalia e gjashta, ndërsa Shtetet e Bashkuara ndodhen në vendin e tetë.

Në anën tjetër, Vietnami, që e ka përqindjen më të ulët të njerëzve me mbipeshë në tërë botën, është shteti i dytë në botë me shkallën më të ulët të vdekjeve nga Covid-19.

(Kosova Sot Online)