E fitoi luftën, por Azerbajxhani ankohet se Armenia i ka shkaktuar kaq miliardë dollarë dëme

  • G.G /
  • 04 March 2021 - 13:58
E fitoi luftën, por Azerbajxhani ankohet se Armenia i ka shkaktuar kaq miliardë dollarë dëme

Ambasadori i Azerbajxhanit në Turqi, Khazar Ibrahim, ka thënë se vlera e përgjithshme e dëmit të shkaktuar nga Armenia ndaj vendit të tij është mbi 50 miliardë dollarë.

“Përpos pushtimit të Nagorno-Karabakut dhe shtatë rajoneve përreth dhe krimeve të luftës gjatë luftërave, Armenia e shkeli ligjin ndërkombëtar përmes përpjekjeve për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, dëmtimit të mjedisit dhe vjedhjes së pasurisë sonë natyrore”, tha ai.

Sipas këtij diplomati, përpos ndërtesave të banimit dhe ndërtesave administrative, gjatë tri dekadave të fundit janë dëmtuar ose shkatërruar 700 monumente historike dhe kulturore, 927 biblioteka, 808 qendra kulturore, 85 shkolla të artit dhe muzikës, 22 muze dhe mbi 100.000 artefakte, katër galeri arti, katër teatro dhe dy salla të koncerteve.

Sidoqoftë, ambasadori tha se Azerbajxhani ka plane të mëdha për rindërtim për territoret që ka marrë nën kontroll pas konfliktit të përgjakshëm, por fillimisht do të realizohet procesi i deminimit, shkruan Anadolu.

Nagorno-Karabaku njihet nga komuniteti ndërkombëtar si pjesë e territorit të Azerbajxhanit, por territori i tij dhe i shtatë distrikteve përreth ishin nën kontrollin e forcave etnike armene nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta deri në nëntor të vitit të kaluar.

Në fund të shtatorit, palët filluan përleshje të ashpër ushtarake, e cila zgjati rreth gjashtë javë dhe gjatë të cilës u vranë rreth 5 mijë ushtarë e dhjetëra civilë nga të dyja anët. Konflikti përfundoi në nëntor, me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia.

(Kosova Sot Online)