Emrat/ 14 deputetët e ardhshëm kanë aktakuza aktive

  • A.P /
  • 04 March 2021 - 17:43
Emrat/ 14 deputetët e ardhshëm kanë aktakuza aktive

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se 14 kandidatë të cilët kanë marrë vota mjaftueshëm për t’u bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë aktakuza aktive.

“Listës së partive politike me numrin më të madh të kandidatëve për deputetë, të cilët kanë marrë vota për tu bërë deputetë dhe të cilët kanë aktakuza aktive i prin Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me gjithsej nëntë (9) kandidatë. Prej tyre gjashtë (6) kandidatë akuzohen për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, dy (2) për veprën penale të korrupsionit “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe një kandidatë akuzohet për dy (2) vepra penale “Përdorim i armës” dhe “Sulm ndaj personit zyrtarë, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Pason Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka tre (3) kandidatë për deputetë, të cilët kanë marrë vota për tu bërë deputetë dhe të cilët kanë aktakuza aktive. Prej tyre një kandidatë akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, një kandidatë akuzohet për veprën penale të korrupsionit “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe një kandidatë akuzohet për tri vepra penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe Pengim i personit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Pas AAK-së, pasojnë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lista Serbe (LS) me nga një kandidatë për deputetë, të cilët kanë marrë vota për tu bërë deputetë dhe të cilët kanë aktakuza aktive. Kandidati i PDK-së akuzohet për veprën penale “Sulm”, ndërsa kandidati nga LS-së  akuzohet për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik””, thuhet në njoftimin e tyre dërguar mediave.

(Kosova Sot Online)