Autoritetet serbe: Mijëra qytetarë nga Kosova po aplikojnë për t’u vaksinuar te ne

  • A.P /
  • 07 March 2021 - 14:56
Autoritetet serbe: Mijëra qytetarë nga Kosova po aplikojnë për t’u vaksinuar te ne

Gati 1,700 qytetarë aplikuan për vaksinim kundër koronavirusit në komunitetet me shumicë serbe në Kosovë dhe Metohi javën e kaluar, shifër e cila është pothuajse tri herë më e lartë se ajo e një javë më parë, njoftoi sot e ashtuquajtura zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Duke qenë se situata epidemiologjike me virusin corona është gjithashtu e ndërlikuar në komunitetet serbe në provincë, fakti që një numër i madh i qytetarëve aplikuan për imunizim në javët e fundit është veçanërisht inkurajues”, thanë nga kjo zyrë.

Serbët nga Kosova do të vaksinohen të martën dhe të mërkurën në tre pika të ndara – në Rashkë, Kurshumlijë dhe Bujanovc.

Kjo zyrë thotë se 1,400 qytetarë do të marrin dozën e dytë të vaksinës këtë të mërkurë dhe të enjte. Ata kujtuan se për ata që duan të vaksinohen, transporti është falas, ndërsa theksohet se “Qeveria e Serbisë ka siguruar një sasi të mjaftueshme të vaksinave për të gjithë”.

Deri më tani, sipas kësaj zyre, më shumë se 10,500 qytetarë nga komunitetet serbe në Kosovë dhe Metohi janë vaksinuar dhe rreth 8,000 prej tyre janë rivaksinuar.

(Kosova Sot Online)