Qeveria shtyn përpara shpronësimin e disa pronave, miraton shpronësimin e disa objekteve

  • E.K /
  • 09 March 2021 - 11:48
 Qeveria shtyn përpara shpronësimin e disa pronave, miraton shpronësimin e disa objekteve

Qeveria në detyrë ka marrë vendim për shqyrtimin e mëtejmë të shpronësimit e disa pronave. Në mbledhjen e sotme, e cila është mbajtur në mënyrë elektronike, është vendosur për shpronësimin e disa pronave të paluajtshme në disa zona të Kosovës, që përfshijnë disa komuna.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme: Në Zonën Kadastrale Bresallc, Komuna Gjilan, e cila preket nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë; në Zonën Kadastrale Balincë Komuna e Malishevës, e cila preket nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N9, Prishtinë-Pejë dhe në Zonën Kadastrale Milloshevë, Komuna e Obiliqit, e cila preket nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë.

Në vazhdim të mbledhjes, kabineti qeveritar ka miratuar edhe një vendim për anulimin, ndryshimin dhe plotësimin e pjesërishëm të një vendimi të tetorit të vitit 2018, me të cilin janë miratuar shpronësimet e pronave të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës “Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, Segmenti Banullë – Bresallc, që prek komunat Lipjan (Zonat Kadastrale Banullë, Sllovi, Smallushë), Novobërdë (Zona Kadastrale, Parallovë) dhe Gjilan (Zonat Kadastrale Bresalc, Ponesh dhe Zhegovc).

Qeveria gjithashtu ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të objekteve të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i parkut që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i “Çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit’’, në fshatin Studençan, Komuna e Suharekës.

(Kosova Sot Online)