LDK-ja njofton zyrtarisht edhe për kandidaturën e Anton Qunit

  • E.K /
  • 09 March 2021 - 15:32
 LDK-ja njofton zyrtarisht edhe për kandidaturën e Anton Qunit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht edhe për kandidaturën e Anton Qunit për kryetar të kësaj partie.

Në komunikatën e sapopublikuar, LDK ka njoftuar se deri tani kandidaturat për kryetar të LDK-së, Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku.

“Dëshirojmë ta njoftojmë anëtarësinë e LDK-së, se deri më tani kanë paralajmëruar kandidaturat për kryetar të LDK-së, z. Anton Quni, nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i degës së LDK-së në Prizren, z. Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, kryetar i komunës së Gjilanit dhe i degës së LDK-së në Gjilan dhe z. Lumir Abdixhiku, anëtar i Kryesisë së LDK-së. Në ditët në vijim priten paralajmërime edhe të kandidatëve tjerë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Kandidaturat e Hazirit dhe Abdixhikut u konfirmuan dje në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së. Në komunikatën zyrtare të LDK-së, u përmendën vetëm këta dy të fundit si kandidatë, ndërsa thuhet se “ka edhe kandidatura tjera, që mund paraqiten ditëve në vijim”.

Quni thotë se s’e di pse s’është njoftuar zyrtarisht për kandidaturën e tij, por thotë se ndoshta aty është vendosur të përmendën vetëm kandidaturat që u shpallën të hënën.

“Po, kam qenë në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së LDK-së. Unë kandidaturën time e kam bërë publike në takimin e parakaluar të Kryesisë së ngushtë, e pse nuk është paraqitur dje në komunikatë nuk e di”, tha Quni.

“Nuk kam bërë pyetje për këtë çështje sepse kandidatura ime është bërë publike edhe më herët, nuk është që ka qenë njoftim i ri”, shtoi ai.

https://www.facebook.com/LDKzyrtare/posts/2723209867990272

(Kosova Sot Online)