Policia e Kosovës pranon pesë qen për njësinë ‘K9’ nga UNDP

  • A.P /
  • 09 March 2021 - 15:58
Policia e Kosovës pranon pesë qen për njësinë ‘K9’ nga UNDP

Sot, në një ceremoni të organizuar në ambientet e drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Kosovës në të cilën ishin të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti me bashkëpunëtorë, si edhe Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, Policia e Kosovës ka marrë një donacion prej pesë (5) qensh për njësinë “K9”.

Dorëzim-pranimi i këtij donacioni u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë znj. Maria Suokko.

Për pjesëmarrësit u bë një prezantim i shkurtër i qenve në veprim nga pjesëtarë të njësisë “K9”.

Ky donacion sipas z. Mehmeti dëshmon bashkëpunimin e fuqishëm të Policisë së Kosovës me UNDP- në: “Misioni dhe angazhimi ditor i Policisë së Kosovës është që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët të avancojmë nivelin e sigurisë në Kosovë dhe të përmirësojmë cilësinë e jetesës për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës është organizatë profesionale e zbatimit të ligjit dhe gjithnjë mbetet e përkushtuar për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Policia luan një rol kyç në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative dhe krimeve të llojeve të ndryshme përfshirë edhe trafikimin e armëve ilegale si edhe në kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta”.

Donacioni i sotëm, ka për qëllim mbështetjen e Policisë së Kosovës në ngritjen edhe më tej të produktivitetit policor në parandalimin e kontrabandimit, zbulimit dhe konfiskimit të armëve ilegale, municionit dhe eksplozivëve.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, znj. Maria Suokko theksoi se në rrethana të jashtëzakonshme të shkaktuara nga pandemia, jemi të sfiduar të vazhdojmë të sigurojmë shërbime për të gjithë njerëzit – në mënyrën më efikase të mundshme. Në një mjedis global kompleks, përplot pasiguri, institucionet e sigurisë duhet të jenë një hap përpara. Dhe kjo është ajo që po bën Policia e Kosovës, duke zgjeruar kapacitetet e saj në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe avancimin e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta, municioneve dhe eksplozivëve.

(Kosova Sot Online)