Zbulohet loja e Gardës së Vjetër për ta mundur Lumir Abdixhikun të dielën

  • A.P /
  • 10 March 2021 - 18:02
Zbulohet loja e Gardës së Vjetër për ta mundur Lumir Abdixhikun të dielën

Numri i kandidatëve për kryetar të LDK-së po shtohet, ndërsa gara reale duket se është vetëm mes Lutfi Hazirit dhe Lumir Abdixhikut. Ky i fundit shihet qartë, sipas deklaratave publike, se nuk e ka përkrahjen e “gardës së vjetër”. Nuk ka qenë në mesin e entuziastëve për prishjen e Qeverisë me Vetëvendosjen, që Agim Veliu donte ta zhbënte me çdo kusht, e Isa Mustafa e ka goditur, që kur ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit. Kandidaturat si ajo e Anton Qunit, e tash Besian Mustafës, duket se po bëhen për ta minimizuar përkrahjen për Abdixhikun.

 

Kryetari i partisë, Isa Mustafa, ka dhënë dorëheqje, pasi LDK-ja nën udhëheqjen e tij dhe si pasojë e vendimeve të tij dhe kryesisë së saj, shënoi rezultatin më të dobët në historinë e partisë, duke marrë pak më shumë se 12 për qind të votave. LVV-ja, me të cilën në zgjedhjet e 2019-ës kishte dallim vetëm një për qind, tash i ka marrë rreth 50 për qind të votave.

Duket se Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë nuk duan të largohen, pa ndikuar edhe pak në zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së.

Kandidaturat po vijnë e po shtohen, ndërsa pas tyre duket se fshihen kalkulime. Besian Mustafa, djali veprimtarit të vrarë të LDK-së, Xhemail Mustafës, ka thënë sot se do të kandidojë për kryetar të partisë.

Për Besian Mustafën, që me prejardhje është nga Podujeva, është përfolur afërsia dhe përkrahja që ai e ka prej kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë, Agim Veliu.

Ditë më parë kandidaturën e ka shpallur kryetar i degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni. Për ta zgjedhur kryetarin e ri të LDK-së votojnë 355 delegatë të partisë. Ata të Prizrenit kanë shprehur përkrahjen për Qunin.

Ndërkaq gara më e ngushtë dhe gara e vërtetë pritet të jetë mes kryetarit të Gjilanit, Lutfi Hazirit dhe deputetit të zgjedhur Lumir Abdixhikut.

Abdixhiku kohëve të fundit nuk i ka pasur punët mirë me ata që llogariten si garda e vjetër e partisë. Në fakt, Abdixhiku në vitin e fundit ka qenë me qëndrime më afër atyre të Vjosa Osmanit, veçse ka zgjedhur që përkundër mospajtimeve, të mos e lëshojë partinë. Ai ka votuar kundër, kur Isa Mustafa ka kërkuar miratimin e shumicës në parti, për ta përjashtuar nga të gjitha pozitat vendimmarrëse ish-kandidaten për kryeministre.

Ai  e ka thënë se nuk ishte i pajtimit për formimin e Qeverisë së re, të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Kjo qeveri erdhi pas rrëzimit të Qeverisë së përbashkët me LVV-në. Abdixhiku gjithashtu kishte thënë se kishte qenë i vetëm me mendimin që s’duhej formuar një qeveri e re pa shkuar paraprakisht në zgjedhje.

Madje ai nuk ka pranuar të jetë ministër në Qeverinë e Avdullah Hotit, të formuar me AAK-në, Nismën dhe Listën Srpska.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka sulmuar haptas Abdixhikun me një postim në Facebook, pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të LDK-së.

“Të tjerët që sot në studio televizive thonë se nuk është dëgjuar zëri i tyre, nuk e thonë të vërtetën, sepse nuk kanë pasur asnjë zë të artikuluar përveç pozicionimit abstenues e abstenimi është mungesë e qëndrimit, blerje kohe, në stilin ta shohim si del”, kishte shkruar Mustafa.

Abdixhiku në një prononcim  kishte thënë se partia që i takon përfundoi me rezultatin më të dobët në histori dhe se nuk u dëgjuan zërat e disave aty brenda.

“Rezultati flet vet dhe s’lë hapësirë për asnjë interpretim. Fatkeqësisht zërat tonë s’u dëgjuan me kohë dhe si rrjedhojë përfunduam në rezultatin më të ulët historik”, kishte thënë Abdixhiku.

Derisa në zgjedhjet e fundit për kryetar të partisë LDK-ja ishte marrë vesh për kandidat konsensual, tash udhëheqja e partisë po rri e heshtur. Publikisht, nuk dihet kush me kë është.

Lutfi Haziri është i gardës së vjetër dhe bashkëpunëtor i afërt i Isa Mustafës dhe i Agim Veliut. Dihet se Haziri në asnjë rast dhe për asnjë qëndrim nuk ka pasur ndonjë përplasje me bashkëpunëtorët e tij në krye të partisë, të cilët i ka quajtur edhe miq të mirë.

Në krye të ekipit për përgatitjen e procesit zgjedhor të së dielës do të jetë Arban Abrashi, sekretar organizativ i partisë, që gjithnjë i ka qëndruar në krah Isa Mustafës.

Më 14 mars, 355 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat do të mblidhen për ta dhënë votën e tyre. Atë ditë, siç parasheh statuti, zyrtarisht do të dihet zyrtarisht kush janë kandidatët. Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit [Isa Mustafa], mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.

Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u duhet t’i marrin 50% plus një të votave të delegatëve.

Zgjedhjet për kryetar të LDK-së mbahen kësaj të diele. Ndryshe prej partive të tjera në Kosovë, për ta parin e LDK-së zakonisht ka garë, e deri te zgjedhja e tij ka zhvillime dramatike.

(Kosova Sot Online)