Presidenti gjerman godet deputetët për skandalin me maska: E turpshme sjellja juaj

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 15:37
 Presidenti gjerman godet deputetët për skandalin me maska: E turpshme sjellja juaj

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha të premten se ligjvënësit e përfshirë në një skandal të prokurimit rreth maskave kanë bërë sjellje të turpshme, duke i dhënë goditje Partisë Kristian-Demokrate të kancelares Angela Merkel para zgjedhjeve rajonale në fundjavë.

Një ligjvënës nga blloku konservator i kancelares Merkel të mërkurën u bë deputeti i tretë brenda një jave që dha dorëheqje nga grupi parlamentar për shkak të skandalit që mund t’i kushtojë partisë në pushtet në zgjedhjet e së dielës.

Zemërimi rreth këtij skandali e ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë e gjermanëve rreth procesit të ngadalshëm të vaksinimit, i cili po shkaktohet nga mungesa e dozave dhe burokracia e rrënjosur, shkruan Reuters.

“…Dhe pastaj detyrohemi të dëgjojmë se deputetët, e të gjithë popullit, refuzojnë para se mbrojtja modeste mjekësore e maskave të arrijë te populli. Kjo është e papranueshme dhe e turpshme”, deklaroi presidenti gjerman në një konferencë të organizuar nga e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Javën e kaluar, Nikolas Loebel nga partia CDU dha dorëheqje, ndërsa konservatori bavarez, Georg Nuesslein hoqi dorë nga partia parlamentare. Të dy ishin të akuzuar për marrje të parave për ndërmjetësim në marrëveshjet e prokurimit për maska.

Ky skandal e ka turpëruar CDU-në e Merkelit, të cilës po i zvogëlohet përkrahja në rajonet Baden-Wuerttemberg dhe Rheinland-Pfalz, ku zgjedhjet e së dielës do të jenë matës i rëndësishëm i bindjeve politike të popullatës para zgjedhjeve federale që do të mbahen në shtator.

(Kosova Sot Online)