Policia spanjolle gjen dhe sekuestron një nëndetëse për bartjen e drogës

  • S.A /
  • 13 March 2021 - 08:21
Policia spanjolle gjen dhe sekuestron një nëndetëse për bartjen e drogës

Policia spanjolle ka njoftuar se ka sekuestruar një nëndetëse që do të mund të përdorej për bartjen e dy tonëve ngarkesë.

Autoritetet e zbuluan objektin e gjatë nëntë metra muajit e kaluar, përderisa ishte ende duke u ndërtuar në qytetin jugor të Malagas. Gjetja u bë gjatë një operacioni më të gjerë kundër drogës, në të cilin janë përfshirë pesë shtete tjera dhe Europol-i.

Nëndetësja që mund të funksiononte edhe si barkë ka ngjyrë qielli dhe nga brenda është e pajisur me dy motorë, secili me nga 200 kuaj fuqi, shkruan The Guardian.

Komandanti i policisë spanjolle, Rafael Perez, tha se nëndetësja asnjëherë nuk ka lundruar. “Ne mendojmë se ajo do të dërgohej në det afër një anije “nënë” për të marrë drogë, ndoshta kokainë, para se të kthehej në Spanjë.”

“Ajo është si një iceberg. Në praktikë, gati e tëra shkon nën ujë, përpos majës, që është pjesa e vetme që do të shihej nga një anije tjetër apo nga helikopteri”, shtoi Perezi.

Në vitin 2019, një nëndetëse 20 metra e gjatë ishte ndaluar pasi ishte vërejtur duke lundruar afër bregdetit të Galicisë. Më pas ishte zbuluar se në të ndodheshin tre tonë kokainë.

Nëndetëse të tilla janë gjetur në të kaluarën edhe në Oqeanin Paqësor dhe Oqeanin Atlantik, sidomos afër brigjeve të Amerikës Jugore dhe Amerikës Qendrore. Zakonisht, këto mjete nuk mund të futen tërësisht nën ujë.

(Kosova Sot Online  )