Koordinatorja e Trumpit përfundon në një kompani për pastrimin e ajrit

  • S.A /
  • 13 March 2021 - 09:11
Koordinatorja e Trumpit përfundon në një kompani për pastrimin e ajrit

Koordinatorja e Trumpit përfundon në një kompani për pastrimin e ajrit

Dr. Deborah Birx, ish-koordinatore e task-forcës për koronavirusin në administratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ka vendosur që të punësohet në sektorin privat, duke zgjedhur një kompani për pastrimin e ajrit në Teksas.

Zonja Birx do t’i bashkohet kompanisë “ActivePure” si këshilltare kryesore shkencore dhe mjekësore, njoftoi kompania të premten, shkruan The Guardian.

Si eksperte e shëndetit global, Birx u bë pjesë e stafit të Shtëpisë së Bardhë në vitin 2020 për ta ndihmuar reagimin e administratës së Trumpit kundër pandemisë.

Megjithatë, ajo ishte kritikuar që nuk e kishte kundërshtuar ish-presidentin Trump, i cili mundohej ta nënvlerësonte rrezikun nga virusi dhe që kishte parashikuar se koronavirusi do të zhdukej.


Përderisa miku dhe ish-mësuesi i saj, Anthony Fauci, u promovua në detyrë për t’u bërë këshilltar i lartë mjekësor për presidentin Joe Biden, Birxit nuk iu ofrua asnjë post në administratën e re amerikane.

Birx tha se ende i ka në mendje pendimet dhe hapat që do të mund t’i merrte për të qenë më efektive. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të viktimave të sëmundjes Covid-19 në tërë botën. Deri më tani, atje janë regjistruar mbi 530.000 të vdekur nga kjo sëmundje.

(Kosova Sot Online )