Kërkesa e dy deputetëve: Kushdo që ka lindur në Zvicër duhet të ketë pasaportë zvicerane

  • E.K /
  • 13 March 2021 - 13:46
 Kërkesa e dy deputetëve: Kushdo që ka lindur në Zvicër duhet të ketë pasaportë zvicerane

Dy deputetë kanë paraqitur një kërkesë në Këshillin e Shteteve për të lejuar ata që kanë lindur në Zvicër nga prindër të huaj të marrin pasaportën Zvicerane gjatë lindjes.

Ndryshe nga shumë vende të tjera si Shtetet e Bashkuara ose Kanada, të lindurit në Zvicër nuk do të thotë automatikisht që personi është zviceran.

Nëse prindërit e tyre kanë lindur jashtë vendit dhe ende mbajnë pasaporta të huaja, një person nuk do të marrë shtetësinë zvicerane nga lindja.

Edhe pse ata kanë jetuar tërë jetën e tyre në Zvicër, ata kanë të njëjtën kombësi si prindërit e tyre dhe do të vazhdojnë të konsiderohen si të huaj – derisa të mos natyralizohen, shkruan The Local.

Deputeti Paul Rechsteiner nga Partia Social Demokrate thotë se kushdo që ka lindur në Zvicër duhet të ketë automatikisht të drejtën e një pasaporte zviceriane.

Lisa Mazzone e Partisë së Gjelbër është gjithashtu në favor të shtetësisë në lindje për brezin e dytë.

Të Premten të dy paraqitën propozimin e tyre në Këshillin e Shteteve, dhoma e sipërme e Asamblesë Federale.

“Ne duhet të lehtësojmë integrimin e qytetarëve dhe kjo përfshin të huajt e brezit të dytë, të cilët i kanë rrënjët këtu por shpesh janë pa pasaportë zvicerane”, tha Mazzone.

Kjo nuk është përpjekja e parë për t’u dhënë shtetësi të huajve të lindur në Zvicër, përcjell tutje albinfo.ch.

Këshilli Federal paraqiti propozime të ngjashme tre herë – në 1983, 1994 dhe 2003. Ata u mbështetën nga një shumicë e madhe në parlament, por asgjë nuk doli prej tyre në fund të fundit.

“Për gati 20 vjet asgjë nuk ka ndodhur dhe ne ua kemi lënë debatin atyre që gjithmonë duan më shumë kufizime në këtë fushë. Është koha për të shkuar përsëri në ofensivë”, vuri në dukje Mazzone.

Tani është një kohë më e mirë për të ri-prezantuar propozimin, tha ajo, sepse klima politike në Zvicër ka ndryshuar që nga referendumi i vitit 2017 i cili e bëri më të lehtë për emigrantët e brezit të tretë të bëhen qytetarë.

Nga ana e tij, Rechsteiner theksoi se “kushdo që lind dhe rritet këtu duhet të njihet si një anëtar i plotë i shoqërisë zvicerane, dhe për këtë arsye të ketë një pasaportë zvicerane”.

Siç qëndrojnë gjërat tani, të huajt e lindur në Zvicër që duan të marrin nënshtetësinë zvicerane duhet të aplikojnë për natyralizim si çdo emigrant tjetër. Mund të zgjasë deri në një vit, të kushtojë mbi 1.000 franga dhe të kërkojë prova të integrimit, zotërimit të gjuhës, mungesës së rekordit penal dhe ndoshta kushteve të tjera, në varësi të kantonit.

Procedura e lehtësuar është e rezervuar për ata të martuar me shtetas zviceranë ose brezin e tretë të një familje të shtetasve të huaj, sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), përcjell tutje albinfo.ch.

Brezat e parë dhe të dytë janë të përjashtuar nga natyralizimi i lehtësuar – një proces më i shpejtë me kritere më pak të rrepta – dhe duhet të ndjekin rrugën e zakonshme.

Shifrat nga viti 2019, viti i fundit për të cilin gjenden statistikat, tregojnë se përqindja e shtetasve të huaj të natyralizuar të lindur në Zvicër është më e lartë për më shumë se 30 përqind sesa e të huajve të lindur jashtë vendit, sipas Zyrës Federale të Statistikave.

(Kosova Sot Online)