Gjashtë pacientë vdesin nga ndërprerja e oksigjenit, jep dorëheqje ministri

  • 13 March 2021 - 14:31
Gjashtë pacientë vdesin nga ndërprerja e oksigjenit, jep dorëheqje ministri

Ministri jordanez i Shëndetësisë dha dorëheqje të shtunën, pasi gjashtë pacientë vdiqën nga ndërprerja e oksigjenit në një spital për koronavirus. Në spital u dërguan forcat speciale për t’i kontrolluar familjarët e zemëruar.

Dështimi i sistemit për furnizimin e pacientëve me oksigjen ndodhi më herët të shtunën dhe i preku repartet për maternitet, koronavirus dhe repartin e kujdesit intensiv. Incidenti ndodhi në një spital qeveritar në perëndim të kryeqytetit Aman.

Një zëdhënës i qeverisë tha se kryeministri Bisher al Khasawneh kërkoi nga ministri i Shëndetësisë, Nathir Obeidat, që të japë dorëheqje pas këtij rasti, për të cilin ministri më parë deklaroi se mban përgjegjësi morale.

Sipas ministrit që dha dorëheqje, hetimet fillestare tregojnë se gjashtë vdekjet u shkaktuan nga ndërprerja e oksigjenit për një orë në këto reparte, ndërsa me rastin tashmë janë duke u marrë prokurorët, shkruan Reuters.

Ndryshe, Jordania është duke u përballur me rritje të numrit të rasteve me Covid-19, kryesisht për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit britanik. Javën e kaluar u morën masa më të rrepta kundër pandemisë, ndërsa të premteve është vendosur izolim i plotë.

Të enjten, Jordania regjistroi 8.300 raste të reja me Covid-19 dhe numrin më të lartë ditor të viktimave që nga fillimi i pandemisë. Deri më tani, atje janë regjistruar mbi 385 mijë të infektuar e 5.224 të vdekur.

(Kosova Sot Online)