Vendimet e para të Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së

  • E.K /
  • 15 March 2021 - 08:03
 Vendimet e para të Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së

Lumir Abdixhiku është emëruar dje kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës pas garës kundër dy kandidatëve të tjerë, Lutfi Hazirit dhe Besian Mustafës.

Abdixhiku ka marrë shumicën e votave të delegatëve derisa, ai do të udhëheq Lidhjen Demokratike për dy vitet e ardhshme.

Tashmë Abdixhiku ka marrë vendimet e para në krye të partisë më të vjetër në Kosovë.

Ndër vendimet e para të tij është edhe ai që ish-kreu i LDK-së që qëndroi në krye të kësaj partie më shumë se 10 vite, Isa Mustafa të shpallet kryetar nderi.

“Me propozim të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Akademik Isa Mustafa shpallet kryetar nderi”, është bërë e ditur në njoftimin që e ka lëshuar dje LDK-ja.

Abdixhiku ndërkaq, me autorizim nga Kuvendi i LDK-së ka emëruar edhe 10 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, pra më shumë se që është e paraparë me statutin e partisë.

“Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka autorizuar Kryetarin të plotësojë edhe me 10 vende të tjera anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm; si pjesë e hapjes së partisë”, thuhet në njoftimin e Lidhjes Demokratike, ku janë publikuar edhe emrat e anëtarëve të këshillit.

Në ditën e parë të punës si kryetar i LDK-së, Abdixhiku gjithashtu ka refuzuar që të takohet me kreun e LVV-së, Albin Kurtin e u.d e presidentit, Vjosa Osmanin që e kanë ftuar në konsultë për krijimin e institucioneve të reja.

(Kosova Sot Online)