A qëndron në sallë PDK-ja kur Kurti votohet për kryeministër e Osmani për presidente? Flet Hoxhaj

  • G.G /
  • 15 March 2021 - 13:07
A qëndron në sallë PDK-ja kur Kurti votohet për kryeministër e Osmani për presidente? Flet Hoxhaj

Albin Kurti e Vjosa Osmani e kanë pritur sot në një takim në Kuvend të Kosovës, u.d e kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajn.

Para gazetarëve, Hoxhaj ka thënë se kanë diskutuar për disa tema, e ka shtuar se ai ka pasur 10 kërkesa për Kurtin e Osmanin si fitues të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Të gjitha këto tema që unë i ngrita, i kam ngritë në takim dhe për të gjitha kemi biseduar në detaje, për disa kemi marrë përgjigje të plotë, për disa të paqartë, ne presim përgjigje prej atyre që duan ti formojnë institucionet”, tha Hoxhaj.

Ai ka thënë se Kurti e Osmani i kanë bërë thirrje që të qëndrojnë në sallë kur të votohet për kryetarin e Kuvendit, kryeministrin e presidentin.

“Është kërkuar pjesëmarrja jonë në seancë edhe kur zgjedhet kryetari i Kuvendit edhe kur zgjedhet Qeveria e presidenti, po ju e dini që ne nuk jemi parti që pjesëmarrjen e ka profesion, ne jemi opozitë.  Këtë çështje ai ka thënë se do ta diskutojnë në parti, për të marrë vendim pastaj nëse do të qëndrojnë në sallë apo jo”, shtoi tutje.

“Debati ka qenë përmbajtësor, qëndrimet tona janë të qarta, ne jemi opozitë, nuk jemi departament i resurseve njerëzore, s’jemi as organ i avancimit të njerëzve në karrierë, takimi është drejtuar në parime. Këtë qartësi që e kam para jush, e kam pasur edhe në takimin që e kishim”, tha Hoxhaj.

Ai ka paralajmëruar se ditëve të ardhshme do t’i mbledhin organet e partisë për të marrë vendim për këtë temë.

(Kosova Sot Online)