Këto janë 10 kërkesat që PDK-ja thotë se ua bëri sot Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit

  • G.G /
  • 15 March 2021 - 13:40
Këto janë 10 kërkesat që PDK-ja thotë se ua bëri sot Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhaj, dhe sekretari i përgjithshëm i partisë, Uran Ismajli, janë takuar sot me kreun e VV’së Albin Kurtin dhe ushtruesen e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmanin.

Në këtë takim, sipas një komunikate të PDK-së, kjo parti ka shpalosur 10 kërkesat që i ka për Kurtin e Osmanin.

Hoxhaj pas takimit me Osmanin dhe Kurtin, ka deklaruar se e ka pyetur këtë të fundit se a është distancuar nga dhuna e gazi lotsjellës në ditën kur Hashim Thaçi ishte emëruar presidenti i Kosovës.

Ndërkohë, Hoxhaj ka deklaruar se vota e PDK’së për Kurtin dhe Osmanin varet prej 10 qëndrimeve që kjo parti i ka ngritur në takim.

Këto janë 10 kërkesat që PDK ua ka bërë Kurtit dhe Osmanit sot:


1. Sa herë që ka pasur zgjedhje të Qeverisë ose të Presidentit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucionet janë sulmuar dhe dhuna është ushtruar ndaj shumicës në Kuvend, në seancë duke hedhur gaz ose duke u sulmuar institucioni i Kuvendit. Unë kam kërkuar ta di nëse z. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetvendosje do të heqin dorë nga dhuna politike si mjet politik.

2. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. A do ta mbajnë ata premtimin e dhënë për qytetarët e Kosovës se nuk do të fillojnë dialog me Serbinë pa një kërkimfalje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur?

3. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. A do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?

4. Ata i kam pyetur edhe lidhur me pozicionimin e tyre në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi? Dhe nëse ata, në përputhje me shkëmbimin e letrave midis Presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi, a do ta rishikojnë kufirin, posaçërisht për pjesën e Zhlebit dhe të Çakorrit, ashtu siç kishin premtuar. Ata duhet të dalin edhe me një afat kohor për jetësimin e këtij premtimi.

5. Nuk mora përgjigje po ashtu nëse ata do ta respektojnë dhe do ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashingtonit?

6. I kam pyetur po ashtu nëse do të pranojnë të hynë në Tregun e Përbashkët Rajonal (Mini-Shengen) pa njohjen e plotë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina? 

7. Gjatë qeverive Kurti 1 dhe Hoti, sovraniteti i Republikës së Kosovës u pezullua kur këto qeveri u tërhoqën nga kërkimi i anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohje të Republikës së Kosovës. Kërkova të di nëse Kosova do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se a do të kërkojnë njohje nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara duke i dhënë fund pezullimit të sovranitetit?

8. Trashëgimia juaj politike që nga viti 2007 ka qenë ta kundërshtoni Planin Ahtisaari, i cili është në thelb karakteri kushtetues i Kosovës. Kam kërkuar të di nga z. Kurti nëse ka hequr dorë nga ky qëllim?

9. Një premtim ka qenë edhe reciprociteti. Kam kërkuar të di nga ta nëse do të rikthehet reciprociteti me Serbinë dhe a do të jetë ashtu si gjatë qeverisë Kurti 1 reciprocitet administrativ apo do të zbatohet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar?

10. Z. Kurti dhe znj. Osmani kanë kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit në lidhje me fusnotën? Kam kërkuar një zotim nga ta nëse do ta anulojnë këtë marrëveshje dhe a do të tërhiqen nga fusnota, siç kanë premtuar gjatë gjithë viteve.

(Kosova Sot Online)