Nitaj: Emërimet e bordeve do t’ia lë qeverisë së re, do të propozoj shkarkimin e bordit të Infrakosit

  • G.G /
  • 15 March 2021 - 14:58
Nitaj: Emërimet e bordeve do t’ia lë qeverisë së re, do të propozoj shkarkimin e bordit të Infrakosit

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, është deklaruar në lidhje me emërimin e bordeve të ndërmarrjeve publike.

Sipas tij, shumicës së bordeve të këtyre ndërmarrjeve u ka kaluar mandati, por thotë se ka vendosur të mos procedojë me rizgjedhjen e tyre, “duke e konsideruar të arsyeshme që ky proces t’i mbetet qeverisë së re”.

“Unë nuk kam proceduar me zgjedhjen e bordeve të reja, edhe në rastet kur kanë përfunduar të gjitha procedurat e rekrutimit, intervistimit dhe poentimit, siç është rasti me Bordin e Telekomit. Po ashtu kam mbështetur sugjerimet e partnerëve në procesin e rekrutimit, që në disa raste të ndërpritet edhe procesi i intervistimit të kandidatëve që tashmë kanë aplikuar në konkurset e rregullta për anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike”, ka thënë Nitaj.

Ai thotë t’u ketë sugjeruar bordeve të përkohshme që të mos shpallin konkurse për zgjedhjen e kryeshefave ekzekutivë.

“Siç jeni në dijeni, Bordi i përkohshëm i Infrakosit e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv të Infrakosit, edhe pse Zyra ligjore e Njësisë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike ka konstatuar se ka munguar bashkëpunimi me aksionarin dhe ka pasur shkelje të kritereve të konkursit. Unë si ministër u kam kërkuar që procesin ta rikthejnë në pikën zero, por pavarësisht kësaj ata kanë proceduar tutje, duke mos përfillur kërkesat e Ministrisë, që është aksionar i kësaj ndërmarrjeje. Për më tepër, ky Bord e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv të Infrakosit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë që me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, në Nenin 15.1 përcaktohet që secili drejtor zgjidhet në mandat prej 3 vjetësh”, thekson ministri në detyrë.

Nitaj thotë të ketë kërkuar takim urgjent me Bordin e Infrakosit për të marrë shpjegimin e tyre, “gjë që nuk është realizuar me arsyetimin se kryetari i Bordit nuk ndodhet në Kosovë”.

Po ashtu thotë të ketë kërkuar interpretim ligjor edhe në rastin e Postës, nëse ka pasur shkelje në procesin e zgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv dhe thotë se është në pritje të tij.

“Si ministër, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, interpretimin ligjor dhe kompetencat që kam, qysh sot do të propozoj të hyjë në rend dite të mbledhjes së radhës të Qeverisë shkarkimi i Bordit të Infrakosit”, përfundoi Muharrem Nitaj, ministër në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit.

(Kosova Sot Online)