Ambasadori palestinez në Serbi dhe deputeti i LVV-së në një linjë, paralajmërojnë pasoja për Kosovën

  • E.K /
  • 16 March 2021 - 14:26
 Ambasadori palestinez në Serbi dhe deputeti i LVV-së në një linjë, paralajmërojnë pasoja për Kosovën

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan mendojnë se hapja zyrtare e Ambasadës në Jerusalem do të ketë pasoja për Kosovën.

Nabhan tha dje se Kosova, e cila, thotë ai, “nuk është ende shtet”, ka filluar shkeljen e ligjit ndërkombëtar në dëm të popujve të tjerë, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Lindjen e Mesme.

“Është sulm ndaj të drejtave tona dhe njerëzve tanë. Kosova kështu po i shkel të drejtat e popullit palestinez për shtetin dhe kryeqytetin e saj. Prishtina po shkel po ashtu të drejtën ndërkombëtare, sepse Jerusalemi është okupuar nga Izraeli që nga viti 1967, dhe që një vend të bëhet anëtar i organizatave ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara, duhet t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Nebhan në një intervistë për “Kosovo Online”. Ai paralajmëroi se do të ndërmarrin hapa “që nuk do t’i pëlqejnë Kosovës”.

Po kështu mendon edhe deputeti i LVV-së, i cili ka arritur ta marrë edhe një mandat në organin më të lartë ligjvënës të shtetit. Eman Rrahmani shkroi sot se me këtë vendim, Kosova po del kundër të drejtës, lirisë dhe demokracisë.

“Kjo tregon që këto qeverisje e ky pushtet kur i jepet mundësia edhe mund të bëjnë  të padrejta, mund të bëhen mohuese të vërtetës.  Një popull që për një shekull luftoi për liri, për drejtësi e pavarësi nuk mund të dalë kundër të drejtës, lirisë dhe demokracisë. Qëndrimet e këtyre pushteteve nuk duhen të jenë qëndrime të popullit i cili më së miri di të tregojë për liri, barazi e drejtësi”, ka shkruar Rrahmani.

Ambasadori i Palestinës në Serbi, tha dje se Kosova “nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”, pas hapjes së Ambasadës në Jerusalem.

“Padyshim, Kosova ka një peng në lojëra të ndryshme që janë në dëm të popujve tanë, jo vetëm në Ballkan por edhe në Lindjen e Mesme dhe kjo nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”, ka thënë Nabhan.

Këtë e parashikon edhe deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani. Ai tha se Kosova do ta “korrë” atë që e ka “mbjellur”.

“Njohja e shtetësisë nuk blihet në kurriz të tjerëve, nuk blihet duke bërë padrejtësi ndaj popujve. Çdo kush, çdo herë, kudo e kurdo do të korrë atë që ka mbjell”, ka shkruar Rrahmani.

Dje është bërë përurimi i Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Në ceremoni ka marrë pjesë E Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri dhe Shefi i Protokollit të Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izrealit, Gil Haskel.

Haskel i ka uruar mirëseardhje Demirit, duke ia dhuruar asaj kartelën identifikuese të diplomates. Zyrtari izraelit ka thënë se ishte privilegj përurimi zyrtar i Ambasadës së parë të Republikës së Kosovës në Jerusalem.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar të dielën se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izrael, me seli në Jerusalem, si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington, të nënshkruar në shtator të vitit që shkoi.

(Kosova Sot Online)