Agjencia Evropiane e Ilaçeve: S’ka tregues se vaksina e AstraZeneca-s ka shkaktuar efektet negative

  • E.K /
  • 16 March 2021 - 15:17
 Agjencia Evropiane e Ilaçeve: S’ka tregues se vaksina e AstraZeneca-s ka shkaktuar efektet negative

Komisioni i ekspertëve i Agjencisë Evropiane të Ilaçeve ka thënë se deri më tani nuk ka tregues se vaksina ka shkaktuar efekte negative te personat e vaksinuar, përfshirë mpiksjen e gjakut.

“Ne së pari duhet t’i kemi faktet, nuk mund të arrijmë në një përfundim derisa të mos mbarojmë një analizë të plotë shkencore. Për momentin, nuk ka ndonjë tregues se vaksinimi i ka shkaktuar këto kushte. Ato nuk janë shfaqur në testimet klinike dhe nuk janë futur në listë si efekte anësore të njohura ose të pritura të kësaj vaksine”, tha shefja e kësaj agjencie, Emer Cooke.

“Në testimet klinike, edhe njerëzit e vaksinuar, edhe ata që kanë marrë vaksinë të rreme kanë shfaqur numër shumë të vogël të rasteve të mpiksjes së gjakut. Numri i rasteve tromboembolike në përgjithësi i personave të vaksinuar nuk duket të jetë më i lartë sesa që shihet në popullsinë e përgjithshme”, shtoi ajo.

Sipas saj, mijëra njerëz kanë mpiksje gjaku çdo vit në Bashkimin Evropian për arsye të ndryshme dhe se komisioni i ekspertëve është duke vlerësuar nëse vaksina ka mundur t’i ketë shkaktuar efektet negative apo nëse ato kanë ndodhur për shkaqe të tjera, shkruan The Guardian.

Cooke shtoi se Agjencia Evropiane e Ilaçeve mbetet thellësisht e bindur se përfitimet e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” ua marrin anën rreziqeve që mund të vijnë nga efektet anësore.

Ndryshe, disa shtete të mëdha të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Suedinë, e kanë pezulluar përdorimin e vaksinës së Oksfordit pas paraqitjes së disa rasteve të mpiksjes së gjakut. Sidoqoftë, prodhuesi dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë bërë thirrje që vaksinimi të vazhdojë, sepse nuk ka dëshmi që efektet negative kanë lidhje me këtë vaksinë.

(Kosova Sot Online)