Sot dita e tretë e zgjedhjeve në Holandë, votuesit mund të futen me biçikleta në vendvotime

  • E.K /
  • 17 March 2021 - 09:03
 Sot dita e tretë e zgjedhjeve në Holandë, votuesit mund të futen me biçikleta në vendvotime

Holandezët do të votojnë të mërkurën për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat mund ta kthejnë në pushtet kryeministrin Mark Rutte. Në vendvotime do të ketë hapësira të veçanta për çiklistët, të cilët janë të shumtë në vendin e Beneluksit.

Zgjedhjet e para të Evropës në pandemi këtë vit janë organizuar për t’u zhvilluar gjatë tri ditëve. Të moshuarit dhe personat më të rrezikuar nga koronavirusi kanë votuar në vende të përzgjedhura të hënën dhe të martën para se vendvotimet të hapeshin për të gjithë të tjerët të mërkurën.

Njerëzve u është lejuar dalja edhe pas orës 21, kur fillon ora policore, në mënyrë që të sigurohet mundësia për të votuar edhe në orët e vona. Masat kundërthënëse nxitën protesta të dhunshme në Holandë në muajin janar, shkruan The Guardian.

Këto zgjedhje pritet të jenë vlerësim i menaxhimit të pandemisë nga kryeministri Rutte. Sipas sondazheve, partia e tij, VVD (Partia Popullore për Liri dhe Demokraci), është në rrugë të mirë për ta siguruar mandatin e katërt radhazi, pas qëndrimit në pushtet për një dekadë.

Ndryshe, Holanda është në mesin e shteteve evropiane me më së shumti raste me Covid-19 për numër të banorëve. Deri më tani, atje janë regjistruar mbi 1 milion e 167 mijë të prekur nga koronavirusi, ndërsa më shumë se 16.000 persona kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)