Kina ua lejon hyrjen vetëm atyre që kanë marrë vaksinë kineze

  • G.G /
  • 17 March 2021 - 13:33
Kina ua lejon hyrjen vetëm atyre që kanë marrë vaksinë kineze

Autoritetet kineze e kanë rifilluar shqyrtimin e vizave për të huajt nga disa shtete, por vetëm nëse ata janë vaksinuar kundër sëmundjes Covid-19 me një vaksinë të zhvilluar në Kinë.

Ky vendim ka ngritur pyetje rreth motivit për kërkesën e pazakontë, duke marrë parasysh se vaksinat kineze nuk janë miratuar ende në shumë shtete ndaj të cilave e ka hapur kufirin dhe se nuk do të pranojë vaksina që janë prodhuar në vende tjera, madje as ato që janë miratuar nga OBSh-ja.

Deri më tani, Kina e ka hapur kufirin për udhëtarët që vijnë nga Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Britania, India, Australia, Iraku, Tajlanda, Kroacia, Izraeli, Pakistani dhe Filipinet. Secili person që dëshiron të hyjë në territorin e saj duhet të ketë marrë dy doza të vaksinës ose një vaksinë me një dozë së paku 14 ditë para udhëtimit, por vaksina duhet të jetë e prodhuar në Kinë.

Kina i solli këto ndryshime për trajtimin e vizave për të huajt në Hong Kong, ku vaksina kineze, Sinovac, është duke u shpërndarë në publik. Vaksinat kineze janë miratuar për përdorim edhe në Filipine, Tajlandë dhe Irak, por në disa shtete që Kina ua ka hapur kufijtë nuk ka fare vaksina kineze.

Kjo nënkupton që njerëzit nga Australia, për shembull, të cilët mund të marrin vetëm vaksina që janë miratuar në vendin e tyre, nuk mund të përfitojnë nga vendimi i fundit i Kinës, shkruan The Guardian.

Deri më tani, në Kinë janë miratuar për përdorim pesë vaksina kundër koronavirusit. Tri prej tyre janë duke u shpërndarë edhe në shtete tjera, qoftë si ndihma, qoftë duke u shitur.

(Kosova Sot Online)