Kompania largon nga aeroplani djalin 4 vjeç me autizëm pse s’vendosi maskë

  • E.K /
  • 17 March 2021 - 15:09
 Kompania largon nga aeroplani djalin 4 vjeç me autizëm pse s’vendosi maskë

Një djalë 4 vjeç me autizëm është larguar nga aeroplani në Shtetet e Bashkuara pasi kompania e fluturimeve nuk pati mirëkuptim për gjendjen e tij dhe këmbënguli se ai duhej ta vendoste maskën, tha nëna e tij.

Kompania “Spirit Airlines” tha për mediet amerikane se të gjithë pasagjerët, përpos atyre që janë nën moshën 2-vjeçare, duhet të vendosin maska, shkruan BBC.

Sidoqoftë, sipas udhëzimeve të autoriteteve amerikane, udhëtarët me gjendje të veçantë shëndetësore nuk duhet të detyrohen për ta përdorur maskën. Nëna e djaloshit tha se ai i do aeroplanët dhe ishte i tronditur që u largua.

Callie Kimball tha se ajo ishte duke udhëtuar me të birin Carter dhe bashkëshortin nga Las Vegasi të hënën dhe kishte një dokument mjekësor, në të cilin shpjegohej gjendja e djalit.

“Ai është i liruar nga përdorimi i maskës, sepse kurdo që e përdor atë, e mban frymën dhe fillon të bëj panik dhe e lëndon veten”, tha nëna e djalit, duke shpjeguar se ai ka autizëm dhe nuk flet.

Kur bashkëshorti ia tregoi dokumentin ekuipazhit të aeroplanit, mori këtë përgjigje: “Jo, jo, jo. Autizmi nuk është nevojë e veçantë. Ai duhet ta vendosë maskën ose duhet të zbresë nga aeroplani.”

Familja arriti që të siguronte një fluturim tjetër drejt Arkansasit me kompaninë “American Airlines”, sepse kjo kompani e njohu dokumentin mjekësor për vogëlushin.

(Kosova Sot Online)